Partia udhëheqëse në Gjermani, Unioni Kristian-demokrat, nisi Kongresin virtual për të zgjedhur kryetarin e ri që do i marrë këtë vit stafetën kancelares Angela Merkel.

Konservatorët kanë mbetur me një kryetare në detyrë që prej shkurtit të kaluar, kur Anegret Kramp-Karenbauer njoftoi dorëheqjen pasi nuk u prit me entuziazëm brenda partisë.

Tani në garë marrin pjesë avokati Fridrish Merc, kryeqeveritari i landit të Nordrain-Vestfalisë, Armin Lascet  dhe eksperti i politikave të jashtme, Norbert Rottgen.

Merc po e prin garën për momentin, por konservatori shihet si kandidati më i djathtë, ndërsa Lashet si më i moderuari dhe i preferuari i kancelares Merkel.

“Si Parti Popullore e Qendrës, natyrisht ne kërkojmë për zgjidhje që sheshojnë konfliktet dhe promovojnë kohezionin ekonomik dhe social. Shpresoj që të zgjidhet ekipi që do i marrë në dorë fatet e partisë tonë krenare dhe që do punojë me të gjithë anëtarët për detyrat e ardhshme,” u shpreh kancelarja Angela Merkel.

Merkel e drejton qeverinë gjermane që nga nëntori i vitit 2005 dhe ka thënë se do të tërhiqet nga skena politike pasi të mbahen zgjedhjet më 26 shtator.

“Për mua, personalisht, ky Kongres është i veçantë. Është i 14-i ku marr pjesë si kancelare  dhe me shumë gjasa, është edhe i fundit. Kur kujtoj 2005-ën, kur u bëra kancelare, bota atëherë nuk ishte njësoj. Nuk kishim telefona inteligjentë, rrjetet sociale ishin një fenomen i papërfillshëm, ekonomia e Kinës ishte më e vogël se e Gjermanisë. Ndërsa sot është katër herë më e madhe dhe gjërat këtu te ne ishin shumë më ndryshe,” shtoi ajo .

Në konventën e së shtunës do të japin mendimin për kryetarin mbi 1 mijë delegatë.

Kryetari i partisë aleate me CDU-në, CSU-ja e Markus Soder, tha të premten se ata nuk kanë preferenca për kandidatë specifikë dhe do të bashkëpunonin me secilin.

“Qytetarët gjermanë sigurisht që tani nuk e kanë mendjen te zgjedhjet, se cili do të jetë kandidati për kancelarinë. Ata mendojnë si do e kalojnë koronavirusin,” u shpreh Soder.