Presidenti, Ilir Meta, bëri thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet e 25 prillit. Në tryezën me ekspertët ai theksoi se do të japë dorëheqjen nëse konfirmohet sërish mazhoranca.

Tirane- Garancia për votën e 25 prillit dhe paprekshmëria ishte emëruesi i përbashkët i ekspertëve në diskutimin online me presidentin Ilir Meta.

Duke paralajmëruar ndëshkim për këdo që do të prekë procesin, Kreu i Shtetit risolli në vëmendje dosjet e Dibrës dhe të Durrësit, ku u publikuan përgjimet e drejtuesve socialistë.

Meta: Çështja e zgjedhjeve është tashmë një çështje e të gjithë shoqërisë, sepse prej saj varet edhe integrimi i Shqipërisë. Vota duhet të jetë njëherë e përgjithmonë e shenjtë dhe e barabartë.

Ne do t’i mbështesim të gjitha institucionet të bëjnë detyrën në këtë drejtim, përfshi edhe SPAK-un. Por me “cironkat” e dosjes së Dibrës dhe Shijakut nuk trembet asnjë nga ata që kanë ndërmend të venë dorë mbi procesin zgjedhor.

Basti i Metës duket se këtë vit do të jetë u fortë, duke paralajmëruar dhe largimin nga detyra nëse socialistët do të fitojnë zgjedhjet në 25 prill.
Duke i cilësuar këto votime thelbësore për ti dhënë fund tranzicionit, Kreu i Shtetit kishte dhe një thirrje për zgjedhësit.

Meta: Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të votojnë në listën e kandidatëve për deputet, personat më me vlera qytetare, më me integritet dhe më të përkushtuar ndaj komunitetit, që ata besojnë, për t’ju dhënë një mesazh në këtë mënyrë edhe kryetarëve të forcave politike.

Kreu i shtetit nënvizon se një pjesëmarrje masive dhe një proces shembullor zgjedhor do ishin një kontribut i madh për të tejkaluar këtë tranzicion të shumë zgjatur.

“Çdo demotivim, përgjumje dhe indiferencë e qytetarëve, nuk i shërben as demokracisë dhe as vetë qytetarit, për të qenë aktiv të ndërtimin e sistemit të llogaridhënies. Çdo qytetar që nuk voton, nuk ka të drejtë të ankohet nesër për Qeverinë” nënvizoi Meta.

Të pranishëm në këtë takim, Gert Shella nga INFOÇIP konstatoi se qytetarët gjenden “në një presion jodemokratik, kryesisht me largime nga vendet e punës, për të orientuar votën dhe kjo është e papranueshme dhe e dënueshme.”

Nga ana e saj presidenti nënvizoi se 25 prilli do të jetë referendum.
Problemet e të gjithë sistemit tonë demokratik, janë probleme të legjitimitetit të institucioneve tona. Ky problem zgjidhet më 25 prill, nëpërmjet referendumit.

Të gjithë duhet të bashkohemi për t’i ndihmuar zgjedhësit që ata të mos kenë probleme në këtë proces, por të shkojnë drejt këtij procesi me garancinë e plotë se vota e tyre nuk dot të preket.”