Në veprën “Dritëhije mbi historinë” të Auron Tare e cila ka shkaktuar një debat të gjerë mbi implikimin e dy shkrimtarëve Martin Camaj dhe Ernest Koliqi me agjenturat e huaja, shkruhet se Camaj ka qenë pjesë e një grupi të quajtur Ilegalët.

Ajo ka qenë një formulë e KGB-së e cila merrte njerëz dhe i dërgonte me misione jashtë për informacion.

I ftuar në RTV Ora, autori i veprës, Auron Tare shprehet se është bazuar në disa dokumente në Uashington ku është përmendur emri i shkrimtarit në këtë grup.

Tare shprehet se këto mund të mos vërtetëojnë se Camaj luante rolin e një agjenti por ngre dyshime mbi figurën e tij.

Tare: Kjo firmosje nuk e njollos Camajn sepse ka qenë një mësues i ri në një fshat. Është trembur dhe e ka firmosur dhe kushdo në atë kontekst nuk e fajëson këtë. Nuk aludoj se ai ka shkuar jashtë kufjve me mision nga Sigurimi. Por ekziston një dokument ku thotë që Camaj është në kategorinë e ilegalëve. Ilegalët ishte një departament, një formulë e KGB-së e cila merrte njerëz nga fusha të ndryshme të jetës dhe i përgatiste një alibi dhe i hidhte jashtë për informacion. Mund të ketë ndodhur ose jo. Nuk kemi një përgjigje shteruese. Fakti që ai është tek pjesa e ilegalëve ngre një pikëpyetje. Unë nuk jam mbështetur në dokumentet e sigurimit të shtetit pasi ka një shmangie të debatit. Unë jam bazuar në dokumentet e arkivit të deklasifikuar në Uashington të një shteti demokratik si ShBA. Këto dokumente janë të hapur për të gjithë që të shkojnë e t’i marrin.

Në vitin 50’ Camaj ka qenë 25 vjeç. Askush nuk e dinte që do bëhej shkrimtar. Fakti që një shërbim sekret si CIA i cili vëzhgonte një organizatë politike e përdorur për qëllime ushtarake e politike dhe spiunazhi të Jugosllavisë komuniste tregon që ka diçka. Atë kohë kanë qenë 6000 qytetarë të arratisur por ata nuk i kanë marrë të gjithë këta por kanë marrë vetëm një pjesë. Dokumenti i dytë theksohet se studentet filan, filan të universitetit të Beogradit janë të mbështetur dhe të kontrolluar nga UDB-ja. Një oficer i UDB-së i kontrollon notat dhe kush del mirë me mësime shpërblehet. Ndër emrat del dhe ai i Camajt.

Gjithashtu Tare shprehet se në një dokument tjetër është përmendur përfshirja e Camajt në Komitetin e Prizrenit, një organizatë e cila është cilësuar nga shërbimi amerikan si një qendër spiunazhi.

Ai shprehet se kjo nuk është organizata kryesore politike anti qeverisë së Enver Hoxhës dhe se nuk është përfshirë në dosjet e sigurimit të shtetit.

Tare: Ndërsa dokumenti tjetër ka një pohim që krijon pikëpyetje që është përfshirja e Camajt në Komitetin e Prizrenit. Është një organizatë për të cilën nuk është folur. Në dosjet e sigurimit nuk del. Ka qenë organizata kryesore politike antiqeverisë Enver Hoxha. Ajo është zhdukur por se si nuk e di. Organizata e Prizrenit është e mirëcilësuar nga shërbimi amerikan i cili thotë që është një organizatë politike, ushtarake dhe një qendër e avancuar e spiunazhit të UDB-së me qendra në Tuz, ku ka studiuar Camaj, Podgoricë. Përbërja apo futja në këtë institucion tregon që Jugosllavët e kanë përdorur për disa qëllime. Në kontekstin e kohës, njerëzit që shkonin në radio Beogradi ishin të seleksionuar. Kanë qenë disa kritere për të shkuar atje. Pra ka disa fakte që Camaj ka qenë i implikuar në këto institucione.