Prej një jave tashmë një debat i fortë që duhet të ishte sa kulturor, letrar, historik për dy emra të shquar të botës shqiptare për Martin Camaj dhe Ernest Koliqin ka pozicionuar në dy krahe, pro dhe kundër, dy shkrimtarëve Camaj dhe Koliqit si pjesëtarë në shërbimet e huaja.

Auron Tare është autor i veprës “Dritëhije në histori” për dy antikomunistë që sipas dokumenteve që ai ka publikuar kanë bashkëpunuar me UDB-në, CIA-n apo si në rastin e Koliqit kolaboracionist i pushtimit fashist të Shqipërisë.

Në një intervistë për RTV Ora, vetë autori i kësaj vepre Auron Tare u shpreh se ky është një debat i gjerë dhe se shkrimi i tij nuk është shkëputur nga konteksti.

Gjithashtu është thënë se kjo vepër godet dy figura të shquara të letërsisë shqiptare apo dhe në aspektin religjioz, por Tare u shpreh se këto janë thjeshtë debate të njerëzve pa argumente.

Tare: Nuk jam nisur fare për të shkaktuar reagime. Sot një librashitës më falënderoi sepse më tha që kam pasur disa libra të koliqit këtu që më ishin zverdhur nga dielli dhe mi blenë të gjitha. Ky debat edhe sikur për të shitur librat e Koliqit besoj se ja ka vlejtur. Për t’iu dhënë një përgjigje të saktë. Ky shkrim nuk është një studim por është një vazhdë e një debati që është bërë tek “Peizazhet e fjalës” ku disa studiues kanë folur për këtë temë. Mesa duket shqiptarët nuk i kanë ndjekur këto debate për këtë çështje por u fokusuan tek një shkrim i imi. Nuk është një debat i shkëputur nga konteksti por janë 6-7 shkrime ku dhe unë kontribuova. Ky shkrim i imi u komentua shumë.

Unë kam shpallur moskompetencë për çështje letrare. Nuk i kam quajtur mite të rreme. Është një debat që duhet bërë në të dy krahët dhe atë antikomunist dhe atë të realizmit socialist pasi në të gjithë krahët shkrimtarët kanë pasur bashkëpunime dhe një lloj mbështetje nga shteti. Nëse në këto dokumente të një shteti demokratik siç janë amerikanët që i kanë deklasifikuar, do të dilte Petro Marko, Lasgush Poradeci, ne sot do të kishim një debat për këta dhe nuk besoj që do të dilte dikush dhe do të thoshte po i godisni sepse janë figura nga jugu apo nga jugperëndimi. Ky është një debat i njerëzve që nuk kanë argumente të tjera dhe përdorin debatin gjuhësor religjioz apo gjeografik.

Ka patur dhe një debat për mënyrën se si janë marrë dosjet në autoriteten e dosjeve, kreu i institucionit Genta Sula ka lajmëruar se ka nisur një hetim administrativ se si janë marrë këto dosje në institucionin e saj.

Por me batutë, Tare shprehet se nuk është futur fshehurazi dhe i ka vjedhur, por ka ndjekur të gjitha procedurat e rregullta.

Tare: Ka të drejtë ta bëjë ajo atë për procedurat e zbatuara. Shiko unë nuk kam hyrë nga një dritare nga kati i dytë gjatë natës. Unë kam shkuar dhe kam aplikuar. Kam paguar dhe faturën e dokumentacionit kështu që banka e ka mandatin e pagesës.