Në një intervistë për Ora News, politologu Vasel Camaj u shpreh se kreu i Ura, Dritan Abazoviç nuk i takon partive nacionaliste shqiptare.

Sipas Camajt, Abazoviçi nuk do të shkojë pa asnjë rezervë në koalicion me partitë pro serbe, sepse ka dallime ideologjike me to.

Ai shtoi se partia Ura është me bindje qytetare dhe euroatlantike, dhe se Mali i Zi do të vazhdojë që të implementojë të njëjtën politikë të jashtme që ka pasur deri më tani.

Vasel Camaj: Abazoviç ka prejardhje shqiptare, por nuk i takon taborit të partive nacionale shqiptare. Ai ka një pikëpamje perëndimore dhe qytetare. Në Malin e Zi nuk ka shumicë etnike, ka multi etni. Këtu janë kaluar trazira të mëdha që e ka bërë të vështirë jetesën e tyre. Abazoviçi nuk do të shkojë pa asnjë rezervë në koalicion me partitë pro serbe, sepse kanë dallime ideologjike, sepse partia Ura është me bindje qytetare dhe euroatlantike. Mali i Zi do të vazhdojë që të implementojë të njëjtën politikë të jashtme që ka pasur deri më tani.

Për Camajn, nën pushtetin e Gjukanoviçit, shqiptarët kanë jetuar më keq se sa në komunizëm.

Vasel Camaj: Shqiptarët kanë qenë faktor stabilizues dhe kanë treguar se kanë pjekuri politike. Shqiptarët kanë vendosur edhe në të mirën e shqiptarëve dhe për stabilitetin në Ballkan. Kjo është parë edhe parë në referendumin e pavarësisë, ku shqiptarët kanë votues pro më shumë se malazezët. Por nën pushtetin e Gjukanoviçit, shqiptarët kanë jetuar më keq se sa në komunizëm. Sidomos zona e Ulqinit që është kthyer në një shkretëtirë. Shumica kanë emigruar sepse janë gjetur përballë një asimilimi të zbutur.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti A. Kurti