Pas argjentinasit Agustin Toarasa, Elton Cale do të jetë futbollisti i radhës që do të rinovojë bashkëpunimin me Tiranën. Anësori brazilian ka gjetur akordin me Presidentin Refik Halili dhe në ditët e ardhshme pritet të hedhë të zezën mbi të bardhë.

Burime pranë lojtarëve bëjnë me dije për RTVORA se 32-vjeçari ndihet i lumtur në kryeqytet dhe do të nënshkruajë një kontratë një vjeçare me kampionët e shqipërisë.

Cale ka qenë një ndër lojtarët më produktiv të repartit të avancuar me 9 asiste dhe 4 gola në 28 ndeshje.

Presidenti Halili dëshiron të rinovojë kontratën edhe me Majkëll Ngo, por arritja e marrëveshjes me britanikun është më e vështirë, diçka të cilën e pranoi edhe vetë sulmuesi.

Në drejtim të tij ka disa oferta joshëse nga jashtë vendit, por ai e ka shijuar avneturën me bardheblutë dhe jetën në kryeqytet dhe nëse vendos të qëndrojë në Shqipëri do të zgjedhë vetëm Tiranën.

Ndryshon situata me mesfushorin Idriz Batha, i cili pasi fitoi për herë të parë në karrierë titullin kampion në Shqipërisë synon të provojë një avneturë jashtë vendit. Nëse vjen një ofertë e rëndësishme 27-vjeçari nuk do të mendohet dy herë, në të kundërt do të rinovojë me kampionët.

Sa i përket merkatos në hyrje Tirana ka zyrtarizuar vetëm sulmuesin Albion Avdijaj, por janë në bisedime edhe me dy mbrojtësa, dhe një mesfushor. Ndërkohë Albi Doka zyrtarisht është larguar nga bardheblutë, ndërsa Sidibe, i cili i’u bashkua skuadrës në merkaton e janarit, mësohet se do të jetë firo e radhës.