Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Hollandë, Lirim Greiçevci, për të biseduar imtësisht mbi të rejat e fundit nga Gjykata Speciale.

Me anë të një postimi në Facebook, Cakaj shprehet se krimet e luftës në Kosovë, të të gjitha profileve ushtarake e politike të UÇK-së, janë hetuar e gjykuar nga UMNIK-u, EULEX-i, Tribunali i Hagës, drejtësia vendore dhe tani, në fund, sërish edhe nga e Gjykata Speciale.

“Ndërkohë, krimet kundër njerëzimit, spastrimi etnik dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë, jo vetëm që nuk janë hetuar mjaftueshëm, por sot ato përgjithësisht nuk përmenden fare dhe bashkësia ndërkombëtare kryesisht qëndron e heshtur para tyre”, shkruan Cakaj në Facebook.

Sipas ministrit Cakaj, për Tribunale Ndërkombëtare e Gjykata Speciale ka nevojë Serbia për të gjitha mizoritë e saj në Kosovë, e jo Kosova për luftën e saj çlirimtare.

“Historinë e Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve, nuk mund ta shkruajë askush”, vijon Cakaj.

Në fund, Cakaj thekson se Kosova do ketë gjithmonë mbështetjen dhe solidaritetin e plotë të Shqipërisë në këto rrethana jo të lehta.