“Bylisi është qytet grek”/ E mbani mend Vitorio Sgarbin? Hoqi maskën në parlament, nxirret zvarrë kritiku italian

Përplasje të forta ka rezervuar dita e sotme për dhomën e deputetëve të Parlamentit italian mes deputetit e kritikut të njohur të artit, Vitorio Sgarbi dhe kryetarit të Dhomës së Deputetëve Roberto Fico.

 Deputetë ishin mbledhur në një seancë përkujtimore në nderim të figurës së guvernatores së rajonit të Kalabrisë Jole Santelli, e cila pak ditë më parë u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Gjatë fjalës së tij deputeti Sgarbi ka ulur maskën gjë që ka detyruar kryetarin Fico t’i tërhiqte vëmendjen, Ky fakt ka provokuar përgjigje të ashpra nga ana e Vittorio Sgarbit, i cili e ka akuzuar kryetarin e Parlamentit si fashist.

Pas disa herë tërheqje vëmendje personeli i sigurisë së Parlamentit e ka larguar me forcë deputetin Sgarbi nga salla. Ndërsa tërhiqej zvarrë nga rojet ai thërriste “kriminelë, kriminelë!

Deputeti e kritiku i artit Vittorio Sgarbi me sjelljet e tij provokuese ka deklaruar së fundmi se nuk është kundër maskave, por është kundër detyrimit të mbajtjes së tyre.

“Nuk e gjej të drejtë, që të eci në rrugë me partneren time e të mbaj maskë e nuk e gjej të drejtë që fëmijët të mbajnë maskë me urdhër kur një gjë të tillë kanë të drejtë ta vendosin vetëm prindërit e tyre.”

Vittorio Sgarbi është gjithashtu kryetar i Bashkisë së komunës së vogël Sutri e në rrugët e kësaj qyteze ai ka shpërndarë pankartat ku i fton qytetarët të jenë të lirë, të mos kenë frikë e të thithin ajrin e pastër të natyrës, një ftesë kjo e hapur për të mos vendosur maskat.

Të lirë e jo të poshtëruar . Zoti qoftë me ju!“, janë fjalët mbyllëse të këtyre pankartave të ngjitura nëpër muret e Sutrit.

Ai u bë i njohur për publikun shqiptar pas komenteve ku thonte se qyteti i lashtë i Bylisit ishte grek, opinion që ngjalli jo pak reagime.