Vetëm dy vite më parë kryeministri Rama vendosi për mbylljen e lojrave të fatit, këtë vit qeveria vendosi sërish që t’i lejojë ato. Këtë të mërkurë (9 shtator) në fletoren zyrtare u botua VKM që do të lejojë hapjen e kazinove në qytetin e Tiranë, madje në zemër të saj.

Për administratorin e Konfindustrias Gjergj Buxhuku, kjo është pasojë e një menaxhimi problematik të qeverisjes në vend.

Gjergj Buxhuku: ”Menaxhimi i qeverisjes në Shqipëri është gjithnjë problematik. Ne shikojmë që brenda 4-5 vjetësh kemi ndryshime tërësore të skajshme të politikave të qeverisë, një ndër to është dhe rihapja e kazinove. Këto ka dy momente. Në momentin e parë qeveria mori vendimin e parë, a ka përgjegjës, a kanë dalë kush janë fitimet apo humbjet nga ai vendim që u mor për ndalimin e tyre? Diçka duhet të ketë. Ose ke qenë në rregull me vendimin e parë, dhe nuk je në rregull me vendimin  e dytë, ose anasjalltas. Por, dikush duhet të mbajë përgjegjësi.”

Në një lidhje përmes Skype për ‘Ora News’, Buxhuku tha vendimet merren pa bërë llogari se çfarë fiton apo humbet ekonomia.

Sipas tij, ky është shembulli se pse agjensitë e huaja e vlerësojnë si të dobët klimën e biznesit në vend.

Gjergj Buxhuku: ”Problemi është që këto vendimet edhe populiste merren pa bërë llogari se çfarë fiton e çfarë humb ekonomia. Këtu duhet të ketë një përgjegjës, qoftë për vendimin e parë ose për të dytë që janë të ndryshme me njëra-tjetrën. Derisa u mor vendimi i dytë, do të thotë që vendimi i parë ka pasur problematika. Këtu nuk mbahen përgjegjësi për vendimet që merren. Kjo është edhe shembull i asaj pse agjensitë e huaja e nxjerrin Shqipërinë në vendet që klimën e biznesit e kanë të dobët. Këtu je ose i paaftë profesionalisht, ose vepron sipas një skenari të caktuar. Kjo është shembulli pse agjensitë e huaja japin përfundime aspak të këndshme për klimën e biznesit në Shqipëri.”

Buxhuku tha se institucionet në Shqipëri janë të dobëta, ndaj dhe ekziston rreziku i pastrimit të parave.

Gjergj Buxhuku: ”Unë jam partizan i faktit që nuk mund të merren masa drastike për mbylljen e një biznesi. Është aktivitet biznesi i zhvilluar mbi një legjislacion që ti ia ke krijuar një investitori. Pse u mbyllë, cilat ishin arsye pozitive dhe negative në ekonomi? Fakti që do të rihapen, unë shikoj anën pozitive të problemit, por këto janë aktivitete biznesi të cilat janë pak delikate. Kërkojnë një agjension rregullator të kujdesshëm, sepse mund të ndodhë që mund të kesh disa të ardhura edhe në rastin kur tregu do të funksionojë në mënyrë të mirë, pa favorizime, por nxjerr riskun e madh të një elementi, që është poblemi i pastrimit të parave të zeza. Autoritetet rregullatore dhe regjimet intitucionale në Shqipëri janë të dobëta, dhe të japin pak shpresë që mund të jesh i pastër përballë vëzhgimit që bëjnë institucionet ndërkombëtare në aktivitete të tilla biznesi siç janë kazinotë.”

Intervistoi në studio Leftion Peristeri, përgatiti për online Renato Çaushi.

Lexo edhe: I mbyllën me bujë, tani do lejohen kazinotë në qendër të Tiranës