I ftuar në studion e “Ekopolitikë” në Rtv Ora, ku po diskutohet mbi dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit, fushatën e vaksinimit dhe situatën epidemiologjike në vend, deputeti i PS-së, Ervin Bushati, u ndal tek situata ekonomike e vendit.

Ai tha se Shqipëria është përballur me sfida të shumta që para fillimit të pandemisë, ku përmendi dy tërmetet e 2019-ës.

Më tej ai theksoi se me të gjithë tkurrjen ekonomike të shkaktuar në të gjithë botën, shteti vijon të mbahet mirë.

Ervin Bushati: Akoma kemi njerëz të pa akomoduar nga pasojat që la pas tërmeti i 2019-ës. Këto kanë bërë që ekonomia të ketë një tkurrje rreth 6 %. Është një tkurrje e menaxhueshme. Franca e ka 9 % në raport me GDP-në. Këto janë forca madhore që nuk i përgatitesh dhe i pret. Më keq se kaq nuk bëhet, nuk mund të kombinohet më. Ja dhe një tërmet që filloi që në shtator të vitit 2019. Një tërmet tjetër në nëntor, që ishte i rëndë, frenoi shumë turizmin. Duhet të ndihmoheshin këto qytetarë. Më pas filloi pandemia dhe bllokoi të gjithë botën. Ne kishim mbi kurriz dhe tërmetin e 2019-ës. Sot 91 % e bizneseve të Shqipërisë nuk paguajnë tatim-fitimin. Unë pres të kemi një sektor ndërtimi shumë më të rritur. Do të jenë dyfishi i asaj që kanë qenë. Në të gjithë vendet e botës ndërhyrja e shtetit në ekonomi ka qenë masive. Përtej teorive të majta dhe të djathta, në të gjithë vendet e botës ndërhyrjet kanë qenë masive. Vendet që ne mund t’i quajmë më të djathta se sa ne, ndërhyrjet i kanë pasur masive. Shqipëria sido që të jetë në mënyrë dinjitoze vazhdon përpara. Turizmi u mbajt mirë, ka vende që u bllokuan totalisht. Ne e kishim 60% të turizmit.