Negociatorët e Brukselit dhe të Britanisë së Madhe iu rikthyen të premten bisedimeve për një pakt të minutës së fundit për të finalizuar krizën 5-vjeçare të Breksitit.

Britania u largua nga Bashkimi Europian më 31 janar, por palët nuk po gjejnë kompromis si t’i zhvillojnë raportet tregtare kur të mbarojë periudha kalimtare e divorcit më 31 dhjetor.

Debati rreth ujërave anglezë dhe të drejtat e peshkimit në to i kanë vështirësuar bisedimet.

Edhe pse sektori i peshkimit pati vetëm 0,09 përqind peshë në prodhimin kombëtar të vendit në 2019-n, kryeministri Boris Xhonson këmbëngul se ujërat janë çështje sovraniteti.

Vendet anëtare të BE-së që kufizohen nga to, si Franca dhe Holanda, kërkojnë nga Britania që të vazhdojë të aplikojë të njëjtat rregulla për zonat e peshkimit për të mbrojtur peshkatarët e tyre.

Kjo nënkupton që shumica e peshqve në zonën ekskluzive ekonomike të Britanisë të kapen nga anijet europiane, dhe në këmbim, pala britanike të mund t’i shesë lirisht produktet e detit në BE.

Ky aktivitet i ka siguruar deri tani unionit rreth 700 mijë ton peshq çdo vit, por Londra kërkon që për llojet e peshqve për peshkim të ketë kuota të qarta në të ardhmen.

“Ne shpresojmë për një marrëveshje me BE-në, por ajo duhet të reflektojë faktin që ne po largohemi prej saj dhe duam kontroll të plotë mbi zonat e peshkimit,” tha të premten ministri britanik i Financave, Stefen Barklei.

Kryeqeveritari Xhonson pati vendosur 15 tetorin si afatin përfundimtar për marrëveshjen me BE-në ndërsa tani kryeministria angleze thotë se do synojë kompromisin deri në fund.