Boris Johnson dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen do të takohen së bashku për të diskutuar mbi marrëveshjen tregtare pas Brexit, teksa përpiqen që të thyejnë ngërçin e krijuar për këtë çështje. Negociatat janë zhvilluar prej disa muajsh, por përfaqësuesit e të dy palëve nuk kanë arritur në një kompromis duke folur për divergjenca të konsiderueshme.

Pikat e bllokimit të marrëveshjes përfshijnë të drejtat e peshkimit, rregullat për subvencionet shtetërore për biznesin dhe rregullat për policimin e çdo marrëveshjeje.

Mbretëria e Bashkuar u largua nga BE në 31 janar por mbetet nën rregullat e tregtisë së BE derisa të përfundojë periudha e tranzicionit në 31 dhjetor.

Prestigjozja telegraf shkruan se një burim pranë negociatave nga pala e Mbretërisë së Bashkuar sugjeroi se kishte pasur një perspektivë më optimiste në fillim të javës, por vuri në dukje se kërkesat që anijet e peshkimit të BE-së të kenë hyrje 10-vjeçare në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar prishin progresin.

Ndërkohë, Ministri i Evropës i Francës sygjeroi që vendi i tij mund të vinte veton në një marrëveshje nëse nuk ishte i kënaqur.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka qenë i etur për sigurimin e mos humbjes së aksesit në ujërat britanike. Edhe Kryeministri Irlandez Micheál Martin tha se shpresonte që marrëveshja tregtare të përfundonte.