Kur mbeten pak muaj nga afati për kompromisin rreth një divorci final pas Breksitit, Brukseli thotë se ende nuk po gjen dot pika të përbashkëta për raportet dypalëshe me Britaninë e Madhe.

Bashkimi Europian ka shprehur zhgënjim për progresin e negociatave me Britaninë e Madhe për të arritur marrëveshje tregtare para ndarjes përfundimtare të vendit me unionin.

Pas përfundimit të raundit të shtatë të takimeve dypalëshe, Mishel Barnie, kryenegociatori i Brukselit, akuzoi të premten palën angleze se i mungon dëshira për kompromis.

Britania u shkëput nga BE-ja në muajin janar pas 47 viteve anëtarësim, dhe tani është në mesin e periudhës tranzitore 11-mujore duke mbetur ende subjekt i rregullave të bllokut.

Kjo kohë po shfrytëzohet për të arritur marrëveshje të ardhshme për tregti të lirë dhe për të sqaruar raportet politike mes dy aleatëve.

“Ata që shpresonin për avancim të shpejtë të negociatave këtë javë do jenë zhgënjyer. Edhe unë jam i shqetësuar dhe i habitur. Shpesh këtë javë na u duk sikur bëmë më shumë hapa pas sesa përpara. Marrëveshja nuk ka për t’u arritur lehtë.”

Bisedimet Britani-BE për një pakt të ri tregtar nuk po mund të kapërcejnë një kërkesë të përsëritur të Brukselit për të pasur të drejta peshkimi në zonën e gjerë ekskluzive detare të Britanisë, dhe se bizneset angleze duhet të ndjekin rregulloret e BE-së për t’i penguar që të konkurrojnë në mënyrë agresive firmat europiane.

Kryeministri i vendit, Boris Xhonson, ndërkohë, refuzon ta shtyjë periudhën tranzitore të Breksitit përtej fundit të këtij viti.

Pa marrëveshjen e re, nga viti 2021 Britania do detyrohej të kryente tregti me BE-në në bazë të kushteve të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Duke folur nga Brukseli, diplomati Barnie tha se ai e mirëkupton qeverinë britanike se po përpiqet të ruajë sovranitetin dhe autonominë rregullatore, porse në marrëveshjet ndërkombëtare është gjithmonë e domosdoshme që palët të lëshojnë dhe të gjejnë pika të përbashkëta.

Sipas Londrës, bisedimet po i bën vështirëson vetë Bashkimi Europian me këmbënguljen e vet.