Vazhdon trafiku i klandestinëve në Korçë. 37-vjeçari,  Dhushan Miça, banues në Shijak, u kap sot në flagrancë nga policia duke transportuar 2 emigrantë të paligjshëm, ndërsa nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar.

Policia procedoi penalisht edhe një shtetas tjetër, si bashkëpunëtor i tij.

“Forcat e policisë, kanë konstatuar në hyrje të qytetit të Pogradecit, një mjet tip “Opel Zafira”, me drejtues 37-vjeçarin, të cilit i kanë bërë me shenjë të ndalonte pasi kishte dyshime se po transportonte emigrantë të paligjshëm. Shtetasi i mësipërm, i cili drejtonte mjetin pa leje drejtimi, nuk iu bind urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, është larguar me shpejtësi duke braktisur mjetin me 2 emigrantë të paligjshëm në afërsi të fshatit Vërdovë, Pogradec dhe më pas është ndjekur, kapur dhe prangosur” njoftoi policia.

Në vijim të veprimeve hetimore, filloi procedimi penal edhe ndaj shtetasit G. S., 41 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si i implikuar në këtë ngjarje.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.