Zgjedhjet parlamentare në Sllovaki fillojnë nën vëzhgimin mbarevropian për çështjen ukrainase
Sllovakët po iu drejtohen sot qendrave të votimit në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, nën vëzhgimin nga afër nga të gjithë liderët në mbarë Evropën, për ndikimin e saj të mundshëm në mbështetjen për Ukrainën, në luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse.
Zgjedhjet parlamentare mund të vendosin nëse vendi i BE-së dhe NATO-s do të ndalojë apo jo ndihmën e tij ushtarake për Ukrainën.
Kryesuese në sondazhe është partia SMER-SSD (“Drejtimi – Social Demokracia Sllovake”), e udhëhequr nga ish-kryeministri prej një kohe të gjatë, Robert Fico.
Fico, i cili ka lëvizur djathtas gjatë fushatës, kritikohet si pro rus nga kundërshtarët e tij, një kritikë që ai e refuzon.
Ai thotë se nëse kthehet në pushtet, Sllovakia do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, por nuk do të dërgojë armë apo municione.
Për shumë sllovakë, shqetësimet kryesore janë norma më e lartë e inflacionit të eurozonës prej 10% si dhe një sistem shëndetësor të varfëruar financiarisht.
Shumë shqetësohen për kujdesin ndaj pensionistëve dhe ndaj banorëve të rajoneve të pafavorizuara, ndërsa të tjerë janë të frustruar nga shtimi i migrimit.
Që nga viti 2020, një koalicion me katër parti fillimisht nën kryeministrin Igor Matoviç dhe më pas pasardhësin e tij Eduard Heger kanë qenë në pushtet.
Administrata e Heger humbi mbështetjen për shkak të grindjeve të vazhdueshme të koalicionit dhe veprimeve të saj gjatë pandemisë së koronavirusit.
Në maj, presidentja Zuzana Çaputova zëvendësoi koalicionin me një kabinet teknokratësh nën ekspertin financiar Ludovít Odor.
Partitë e koalicionit, të cilat ndërkohë janë ndarë në fraksione më të vogla, të gjitha kanë frikë se do të dëbohen nga parlamenti nga votuesit në zgjedhjet e së shtunës.
Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 (05:00 GMT) dhe do të mbyllen në orën 22:00.