Zelensky: Armë dhe garanci nga NATO, përpara negociatave me Moskën
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky sot se vendi i tij ka nevojë për më shumë armë dhe garanci sigurie nga NATO, përpara negociatave të mundshme me Rusinë për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës, të nisur në vitin 2022.
Zelensky foli pas një takimi me kreun e ri të diplomacisë evropiane, Kaja Kallas dhe presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, të dy në një vizitë simbolike në mbështetje në Kiev, në ditën e parë të mandatit të tyre.
Ky udhëtim vjen në një kohë kur tensionet janë në kulmin e tyre midis Moskës dhe Perëndimit pas goditjeve nga Ukraina të raketave amerikane dhe britanike në tokën ruse dhe gjuajtjes nga Rusia të një rakete eksperimentale hipersonike dhe kërcënimeve bërthamore.
Ndërsa thirrjet për fillimin e negociatave me Moskën bëhen më të ngutshme, përfshirë edhe nga aleatët e Kievit, Zelensky siguroi se vendi i tij ka nevojë për “armë, duke përfshirë një numër të mirë ose një numër të mjaftueshëm armësh me rreze të gjatë veprimi të llojeve të ndryshme”.
Ai foli gjithashtu për nevojën për një “hap përpara me NATO-n”.
“Ftesa e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n është e nevojshme për mbijetesën tonë”, argumentoi ai, ndërsa Moska pretendon se ka nisur pushtimin e saj për të parandaluar në veçanti një afrim midis Kievit dhe Aleancës Atlantike.
“Vetëm kur t’i kemi të gjithë këta elementë dhe të jemi të fortë, do të na duhet të vendosim… agjendën për takimin me vrasësit”, tha Zelensky.