Zelenski thirrje në OKB: Presim reagim të fortë ndaj Rusisë

Ukraina ka bërë thirrje të dëshpëruara për të kërkuar rezoluta dhe reagim më të ashpër nga Këshilli i Sigurimit në lidhje me sulmet e fundit me raketa nga ana e Rusisë. Në Këshillin e OKB-së bën pjesë edhe Rusia e cila do të vendoste veton në çdo rast. 

Bota duhet të bëjë më shumë veprime për të ndalur Rusinë në sulmet e saj ndaj infrastrukturës ukrainase.

Ky ka qenë mesazhi i liderit ukrainas në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pasi Moska ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës së Ukrainës duke lënë miliona banorë pa ujë e drita.

"Ne presim një reagim të ashpër të botës ndaj terrorit të sotëm rus. Ne presim reagimin e të gjithë atyre që e njohin vërtet Statutin e OKB-së. Ne kemi nevojë për sisteme moderne dhe efektive të mbrojtjes ajrore dhe raketore dhe falënderoj të gjithë ata që tashmë po ndihmojnë," tha ai.

Sulmet me raketa të Moskës lanë të vdekur gjashtë persona të mërkurën.

Zelenski tha se pret një reagim më të fortë nga bota për shkak se raketat kanë goditur shkolla e spitale.

"Sot është vetëm një ditë, por ne jemi goditur nga 70 raketa. Kjo është formula ruse e terrorit. Raketat kanë goditur spitale, shkolla, infrastrukturën e transport dhe zonat e banuara," tha ai.

Këshilli i Sigurimit nuk pritet të ndërmarrë ndonjë veprim sa i përket apelit të Ukrainës pasi Rusia është anëtare e përhershme me të drejtë vetoje, ç’ka do të pamundësonte votimin.

EMISIONET