"Aktori Alec Baldwin qëlloi me plumba të vërtetë", policia jep detaje për vrasjen e kineastes dhe plagosjen e regjisorit

"Aktori Alec Baldwin qëlloi me plumba të vërtetë",

Shefi i Policisë në Santa Fe, Adan Mendoza, ka bërë me dije se aktorit Alec Baldwin iu dorëzua një armë e mbushur me plumba të vërtetë, për t'u përdorur gjatë xhirimeve të filmit, në New Mexico.

Baldwin gjatë xhirimeve ka qëlluar për vdekje kineasten Halyna Hutchins dhe plagosur regjisorin e filmit Joel Souza.

“Mendoj se faktet janë të qarta. Baldwin iu dha një armë. Arma është funksionale dhe nga ajo ka qëlluar me plumba të vërtetë (i mbushur me barut)”, tha Mendoza, duke shtuar se autoritetet kanë gjetur rreth 600 prova në lidhje me hetimin, duke përfshirë tre armë zjarri dhe 500 fishekë municionesh.

Në deklaratën që ka bërë për shtyp ai është shprehur më tej se në xhirimet e filmit Western, të quajtur Rust, ishin rreth 100 persona në momentin kur ndodhën të shtënat. Ai shtoi se të gjithë do të merren në pyetje për të zbuluar detaje në lidhje me ngjarjen.

 “Arma nuk do të duhej të ishte aty. Tani do të zbulojmë se si arriti atje dhe pse ishte atje”, shtoi ai, duke konfirmuar se ende nuk ka një aktakuzë për rastin.

Sipas BBC, deri më tani në bazë të hetimit nuk është bërë asnjë arrestim apo ngritur ndonjë akuzë.

Ngjarja ndodhi pak ditë më parë ku kinematografja Halyna Hutchins u qëllua për vdekje në gjoks nga aktori në xhirimet e filmit 'Rust', ndërsa regjisori Joel Souza, i cili qëndronte pas saj, mbeti i plagosur.

EMISIONET