Volodymyr Zelensky: Vetëm diplomacia mund t'i japë fund luftës në Ukrainë
Presidenti i Ukrainës ka thënë se lufta mund të zgjidhet vetëm përmes diplomacisë, pavarësisht pezullimit aktual të negociatave.
“Diskutimet midis Ukrainës dhe Rusisë padyshim që do të zhvillohen. Në çfarë formati nuk e di, me ndërmjetës, pa ta, në një grup më të gjerë, në nivel presidencial. Por lufta do të jetë e përgjakshme, do të ketë luftime dhe do të përfundojë përfundimisht vetëm përmes diplomacisë”, tha Volodymyr Zelensky në një intervistë me një kanal televiziv ukrainas.
“Ka gjëra që mund të arrihen vetëm në tryezën e bisedimeve. Ne duam që gjithçka të kthehet, por Rusia nuk e dëshiron këtë", tha ai.
Bisedimet e fundit midis dy palëve u zhvilluan më 22 prill, sipas agjencive ruse të lajmeve. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, akuzoi Ukrainën se nuk dëshiron të vazhdojë bisedimet për t'i dhënë fund luftimeve.
Të premten, Rusia pretendoi se kishte marrë kontrollin e plotë të qytetit të rrethuar të Mariupolit, në atë që është përshkruar si çmimi më i madh i Moskës që kur pushtoi Ukrainën në shkurt, pasi grupi i fundit i ushtarëve ukrainas të ngujuar në fabrikën e çelikut Azovstal u dorëzua. Lëvizja shënoi fundin e rrethimit tre mujor të bastionit të fundit të mbrojtësve në qytet.
“Strukturat nëntokësore të Azovstal ku fshiheshin militantët janë tani nën kontrollin e plotë të forcave të armatosura ruse”, tha në një deklaratë ministria ruse e mbrojtjes, duke shtuar se në total 2,439 luftëtarë ukrainas ishin dorëzuar.
Disa orë përpara njoftimit rus, Zelensky tha se mbrojtësve u ishte thënë nga ushtria ukrainase se ata mund të dilnin dhe të shpëtonin jetën e tyre dhe me shumë mundësi do të largoheshin të gjithë në ditët në vijim.
Ndërkohë të shtunën, Gazprom i Rusisë ndaloi eksportet e gazit në Finlandën fqinje, tha operatori finlandez i sistemit të gazit, pasi Helsinki zemëroi Moskën duke aplikuar për anëtarësim në NATO.