Vazhdon beteja për shuarjen e flakëve në Turqi, 3 viktima, evakuohen 34 fshatra

Vazhdon beteja për shuarjen e flakëve në Turqi, 3 viktima,

Tre persona  kanë humbur jetën në një zjarr, që ka përfshirë zonën pyjore në Turqinë jugore për të dytën ditë radhazi, thanë ministri  i Bujqësisë Bekir Pakdemirli dhe Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive (AFAD), ndërsa përpjekjet për të shuar zjarrin vijojnë intensivisht.

Më shumë se 100  banorë u evakuuan, pasi kishin nevojë për kujdes mjekësor dhe pronat e tyre janë dëmtuar nga zjarri.

Temperaturat e larta dhe erërat e forta kontribuuan në përhapjen e zjarrit në qytetin e Manavgat, i vendosur 75 km në lindje të Antalias dhe fshatrave fqinjë.

Sipas ministrit, një 82-vjeçar u gjet i vdekur gjatë evakuimit të zonës Kezbebeleni, e cila ndodhet 16 kilometra në verilindje të Manavgat.

Një grup prej dhjetë personash u shpëtuan pasi u bllokuan në një varkë në digën fqinje Oympinar.

Ministri më vonë njoftoi se dy trupa të tjerë të pajetë ishin gjetur në zonën Degirmenli të Antalisë, rreth 20 kilometra në lindje të Manavgat.

Sipas AFAD, 122 persona janë prekur nga zjarret dhe 58 ndodhen në spital.

Një aeroplan zjarrfikës, një dron, 19 helikopterë, rreth 250 automjete dhe 960 zjarrfikës morën pjesë në përpjekjet e shuarjes së zjarrit, ndërsa 'Gjysmëhëna e Kuqe Turke' dërgoi personel dhe pako ushqimore në zonë.

“Shtëpitë në zonën që rrezikohen nga zjarri janë evakuuar. Shumë shtëpi, zyra, ferma, serra dhe automjete u shkatërruan nga zjarri," tha AFAD në një deklaratë.

Autoritetet evakuuan 18 fshatra dhe rrethe në Antalia, ndërsa 16 fshatra të tjerë u evakuuan në krahinat fqinje të Adana dhe Mersin, shtoi ministri.

Vazhdon beteja për shuarjen e flakëve në Turqi, 3 viktima,

Sipas ministrit, 41 zjarre pyjorë janë regjistruar në 13 nga 81 provincat e Turqisë që nga e marta, nga të cilat 31 janë nën kontroll.

Turqia po përballet me një sërë fatkeqësish të shkaktuara nga kushtet ekstreme të motit këtë verë, përfshirë përmbytjet javën e kaluar që lanë gjashtë të vdekur në rajonin e Detit të Zi.

EMISIONET