Uragani "Helene" shkakton mbi 200 viktima në SHBA, Trump viziton Georgian: Zemërthyer për personat që humbën jetën
Kandidati republikan për president, Donald Trump, ditën e sotme së bashku me guvernatorin Brian Kemp vizituan Georgian. Shteti u godit nga uragani “Helene” dhe të paktën 202 persona humbën jetën.
Trump tha se është zemërthyer për personat që vdiqën si pasojë e uraganit. Mes viktimave ishte edhe një nënë 27-vjeçare dhe dy foshnjat e saj.
Republikani vlerësoi gjithashtu miliarderin Elon Musk, i cili ofroi internetin Starlink për shtetet e prekura dhe tha se e falenderoi personalisht. Musk e ka mbështetur në mënyrë aktive Trump gjatë kësaj fushate presidenciale.
Trump u premtoi qytetarëve të Georgias se shteti i tyre “do të marrë trajtimin më të mirë” nëse ai fiton në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Trump foli gjithashtu për marrëdhënien e tij me guvernatorin Kemp, të cilin së fundmi e kishte quajtur “djalë i keq” dhe “i pabesë” gjatë një mitingu në gusht.
“Është i mrekullueshëm,” i tha ai një gazetari. “Ne gjithmonë punojmë shumë mirë së bashku”.
Trump gjithashtu kritikoi administratën Biden për mënyrën se si e ka menaxhuar situatën pas shkatërrimit të uraganit “Helene”, duke e quajtur atë të tmerrshme.