Udhëheqësi i NATO-s dhe liderët evropianë urojnë Trump për kthimin në Shtëpinë e Bardhë

Shefi i aleancës ushtarake të NATO-s dhe liderët evropianë, uruan të hënën presidentin amerikan Donald Trump për kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, pasi ai zyrtarisht mori detyrën në ceremoninë e tij të inaugurimit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se me Trump të rikthyer në detyrë, " ne do të ngarkojmë shpenzimet dhe prodhimin e mbrojtjes me turbo, me gjasë duke iu referuar shtytjes së Trump, që vendet evropiane të mbajnë një barrë më të madhe në alenacnë për t'u mbrojtur.

"Urimet e mia të ngrohta për @realDonaldTrump për inaugurimin e tij si President i 47-të i SHBA-së dhe @JDVance si Zëvendës President Së bashku, ne mund të arrijmë paqen përmes forcës - përmes @NATO," shkroi ai në X.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ofroi urimet e saj më të mira për mandatin e Trump si presidenti i 47-të i SHBA-së, duke thënë se blloku mezi pret të punojë ngushtë me të, për të trajtuar sfidat globale.

"Së bashku, shoqëritë tona mund të arrijnë prosperitet më të madh dhe të forcojnë sigurinë e tyre të përbashkët. Kjo është forca e qëndrueshme e partneritetit transatlantik," tha ajo në X.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa gjithashtu shprehu urimet më të mira për Trump dhe përsëriti dëshirën e BE-së për të punuar ngushtë me të, për të trajtuar sfidat globale.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola shprehu "urimet e saj më të mira" për popullin amerikan ,në fillimin e një kapitulli të ri. "Evropa është e gatshme të punojë së bashku si miq dhe partnerë, për të formuar një botë me stabilitet, mundësi dhe shpresë," tha ajo.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas uroi Trump dhe tha se blloku mezi pret të vazhdojë partneritetin e tyre.

"Lidhja transatlantike ka sjellë prosperitet dhe forcë në të dy anët e Atlantikut. Së bashku, ne jemi më të fortë dhe më të sigurt për të trajtuar sfidat globale," shkroi ajo në X.

'BE është një bashkim i fortë'

Kancelari gjerman Olaf Scholz e uroi Trumpin, duke thënë se SHBA-të janë aleati më i ngushtë i Gjermanisë dhe qëllimi i politikës së tyre është “gjithmonë një marrëdhënie e mirë transatlantike”.

"BE, me 27 anëtarë dhe më shumë se 400 milionë njerëz, është një bashkim i fortë," shkroi ai në X.

“Në emër të Mbretërisë së Bashkuar, i dërgoj urimet e mia më të ngrohta Presidentit @realDonaldTrump për inaugurimin e tij si Presidenti i dyzet e shtatë i Shteteve të Bashkuara”, tha kryeministri britanik Keir Starmer, në një video-mesazh.

Ai shtoi: "Marrëdhëniet e veçanta midis MB dhe SHBA, do të vazhdojnë të lulëzojnë për vitet në vijim."

Simon Harris, kryeministri irlandez, e uroi ngrohtësisht Trumpin dhe i uroi atij çdo sukses në mandatin e tij të kthimit.

"Ky është një moment shumë i rëndësishëm për Presidentin Trump, personalisht dhe për Shtetet e Bashkuara. Ndërsa pishtari i demokracisë kalon paqësisht nga njëri lider te tjetri, unë i dërgoj atij dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, urimet e mia më të mira," thuhet në një deklaratë.

Presidenti rumun Klaus Iohannis uroi gjithashtu Trump, duke thënë se Rumania, "një partnere e ngushtë strategjike e SHBA-së", i uron atij suksese në këtë mandat të ri të rëndësishëm.

"Ne kemi nevojë për një lidhje të fortë dhe të gjallë #Transatlantike, në dobi të sigurisë dhe prosperitetit tonë të përbashkët," shkroi ai në X.

Kryeministri holandez, Dick Schoof uroi Trump dhe Zëvendës Presidentin JD Vance, duke prekur "lidhjet historike të kahershme" midis SHBA-së dhe Holandës.

"Ne jemi aleatë të fortë dhe punojmë së bashku ngushtë, dypalësh dhe në forume ndërkombëtare si NATO. Mezi pres të vazhdoj këtë partneritet me Presidentin @realDonaldTrump dhe Zëvendës Presidentin @JDVance," shkroi ai në X.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez e uroi Trumpin, duke shtuar: “Ne presim të punojmë me administratën e re të SHBA-së, për të forcuar marrëdhëniet strategjike midis vendeve tona dhe për të adresuar sfidat e përbashkëta globale”.

Gjatë mandatit të tij të parë si president më 2017-2021, lidhjet e Trump me aleatët evropianë prireshin të ishin më pak se të ngrohta, por mesazhet e së hënës nga udhëheqësit kontinental shprehën qartë shpresën se kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë do të shihte marrëdhënie më miqësore.

EMISIONET