Rekord të ardhurash për Twitter, në tre muaj ka fituar 1,28 miliardë dollarë
Twitter ka njoftuar se në tremujorin e tretë të 2021 të ardhurat e kompanisë kanë treguar një rritje të konsiderueshme prej 37% në krahasim me një vit më parë, duke arritur 1.28 miliardë $, pjesa më e madhe e të cilave erdhi nga reklamat (1.14 miliardë dollarë).
Përdoruesit aktivë të përditshëm që shohin reklama, janë rritur me 13%, duke arritur në 211 milionë.
Në një masë të madhe, rritja e përdoruesve (me pesë milionë) erdhi edhe nga vende të tjera përveç SHBA-së.
Sipas Reuters dhe New York Times, kompania u detyrua të shfaqte një humbje prej 537 milionë dollarë në tremujorin e tretë të këtij viti (krahasuar me një fitim prej 29 milionë dollarësh në tremujorin e tretë të 2020), sepse pagoi 809.5 milionë dollarë për të zgjidhur një mosmarrëveshje ligjore me aksionerët e saj që nga viti 2016, të cilët e kishin akuzuar atë për mashtrimin e investitorëve për numrin e përdoruesve të platformës.
Megjithatë, aksioni i Twitter me qendër në San Francisko, u rrit në tregun e aksioneve amerikane pas shpalljes së rezultateve financiare të tremujorit të tretë.