Turqia do të hetojë pretendimet për vjedhjen e grurit ukrainas nga ana e Rusisë

Turqia do të hetojë pretendimet për vjedhjen e grurit ukrainas

Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu deklaroi të enjten se kishte nisur një hetim mbi pretendimet për vjedhjen e grurit të Ukrainës nga ana e Rusisë dhe se nuk do të lejohej që dërgesa të tilla të silleshin në Turqi.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Ambasadori ukrainas në Ankara tha në fillim të qershorit se kompani turke ishin midis blerësve që po merrnin dërgesat e grurit që Rusia kishte vjedhur në Ukrainë, duke shtuar se priste nga Turqia që të identifikonte dhe të arrestonte individët përgjegjës për dërgesat e përfolura.

Por nga ana e saj Rusia i ka mohuar vazhdimisht pretendimet se po vidhte grurë nga Ukraina.

Gjatë një konference të përbashkët për mediat në Ankara, me ministren e jashtme të Britanisë së Madhe, Liz Truss, Cavasoglu tha se qeveria turke i merr shumë seriozisht të gjitha pretendimet dhe po i heton ato, dhe për rezultatet e këtyre hetimeve njoftohet vazhdimisht, veçanërisht pala ukrainase.

Cavusoglu tha se Turqia do të kundërshtonte Rusinë apo çdo shtet tjetër që merrte grurin ukrainas, apo mallra të tjerë dhe i shiste ilegalisht në tregjet ndërkombëtare.

“Ne si Turqi, nuk do të lejojmë që këto mallra të vijnë tek ne”, garantoi kreu i diplomacisë turke.

Së bashku, Rusia dhe Ukraina eksportojnë pothuajse një të tretën e grurit dhe elbit në botë, mbi 70 për qind të vajit të lulediellit dhe janë furnizuese të mëdha të misrit.

Por eksporti i grurit në Ukrainë nga rrugët detare të Detit të Zi janë bllokuar që nga nisja e pushtimit rus, me më shumë se 20 milionë tonë grurë që mbeten të magazinuara në portet ukrainase.

EMISIONET