Trajneri i Taekwondos arrestohet për përdhunimin e sportisteve të mitura
Një trajner i sportit luftarak të Taekwondos ka rënë në prangat e policisë greke mëngjesin e të martës.
44-vjeçari akuzohet se duke përfituar nga statusi i trajnerit të një klubi sportiv specifik, kryente akte seksuale ndaj vajzave të mitura, si brenda palestrës, ashtu edhe në shtëpinë e tij.
Sipas hetimeve, të paktën nga viti 2009 deri në vitin 2020 ai stërviste vajza të mitura nga mosha 12 deri në 16 vjeç, dhe pasi kishte përmirësuar aftësitë e tyre në këtë sport, i bindi që t'i bashkoheshin seksionit të garave, në mënyrë që të kishin orë të gjata stërvitje kryesisht individuale me të.
Më pas ai ka kryer akte seksuale ndaj të miturve qoftë në palestër, qoftë në shtëpinë e tij.
Sipas asaj që bëhet me dije nga burime të sigurta policore, aktet seksuale për të cilat ai akuzohet kanë qenë veçanërisht brutale dhe të dhimbshme për viktimat e tij të mitura.
Deri më tani është konfirmuar se në këtë mënyrë ai ka futur në kurth dhe dhunuar të paktën pesë vajza, të cilat tashmë janë të rritura.
Dosja i është dorëzuar Prokurorisë së Rrethit të Athinës dhe çështja i është referuar Hetuesit, nga ku është lëshuar urdhri përkatës i arrestit.
Gjithashtu, po shqyrtohet edhe pjesëmarrja e tij në akte të tjera të ngjashme në kurriz të sportistëve të tjerë të mitur, si në të kaluarën ashtu edhe sot, pasi ai vazhdon të stërvitë çdo ditë grupe fëmijësh të moshave të ndryshme.
Siç mësohet, trajneri 44-vjeçar shoqëron fëmijët në garat e Taekwondos si në Greqi ashtu edhe jashtë saj, ndërsa është edhe baba i një djali të mitur.
Në kontrollin e kryer në shtëpinë e tij, automjetet dhe ambjentet e palestrës janë gjetur dhe konfiskuar tre (3) celularë, dy (2) tableta, tre (3) laptopë, një hard disk dhe një kartelë memorie.
Deri më tani ka rezultuar se i arrestuari ka vepruar me metodën e mësipërme të akteve seksuale në kurriz të së paku pesë (5) vajzave, të cilat tashmë kanë arritur moshën madhore, ndërsa po hetohet pjesëmarrja e tij në akte të tjera të ngjashme.
I arrestuari Aris Datsios është dërguar në Prokurorinë Publike për t'i ngritur akuzat.
Siç u bë e ditur, ndaj tij u ngrit procedimi penal për përdhunim serial, abuzim të të miturve në pakujdesi, shkelje të të dhënave personale, furnizim dhe posedim droge.
Atij iu dha afati për t'u deklaruar të premten në orën 13:00 para hetuesit të 14-të.
Federata Helenike e Taekwondosë me të marrë njoftimin tha se do t’i kërkojë zv.ministrit të Sportit heqjen e licencës profesionale për trajnerin.