Thesare mes kopertinave, bibliotekarja amerikane zbulon koleksionin e artikujve të veçantë

Thesare mes kopertinave, bibliotekarja amerikane zbulon koleksionin e artikujve

Një koleksion artikujsh që janë gjetur mes kopertinave të librave në bibliotekën e Kalifornisë janë ekspozuar për publikun. Behet fjalë për një nismë të një punonjëse biblioteke amerikane, e cila ka zbuluar thesare të paçmuar.

Biblioteka Publike “Oakland”, Kaliforni ka zbuluar një koleksion artikujsh të paçmuar që janë gjetur mes librave në biblioteka gjatë dekadave të fundit. Ekspozita përfshin letra dashurie, foto familjare dhe një sërë skicash vizatimorë të bëra nga fëmijët.

Nismëtarja e projektit, bibliotekarja amerikane Sharon McKellar thotë se koleksioni e bën atë "të ndihet optimiste për njerëzimin".

"Doja të ndaja diçka që ishte me të vërtetë interesante për mua dhe kisha një ndjesi se do të ishte interesante edhe për njerëzit. Dhe kjo tregon një histori të komunitetit tonë dhe qytetit tonë në një mënyrë ndryshe dhe lidhet me bibliotekën."

Midis faqeshënuesve të artit të fëmijëve dhe fotografive të Krishtlindjeve, ka letra të shkruara, por që nuk janë dërguar kurrë, shënime nga të dashuruarit dhe kartolina falënderimi. 

"Ka disa që janë letra ose kartolina që u dërguan mes njerëzve - ose ndoshta nuk u dërguan në të vërtetë - që janë shumë personale. Ka edhe disa që tingëllojnë vërtet si mendimet e brendshme të dikujt, si përpjekjet për të folur me veten në një kohë vërtet të vështirë” shprehet ajo. 

"Kam marrë çekun tuaj", thuhet në anën e pasme të një ilustrimi nga "Alice in Wonderland".

McKellar filloi mbledhjen e artikujve rreth 10 vjet më parë dhe ka shkruar në një blog për këtë hobi të saj për disa vite, por shansi për të kuruar një ekspozitë erdhi kur biblioteka hapi një faqe interneti të re. Kjo e lejoi atë të gruponte gjetjet sipas temës ose kategorisë duke përfshirë shënime, art, foto, letra, objekte, faqeshënues, shkrime krijuese, lista dhe artikuj për fëmijë.

EMISIONET