Tensione në Baltik, radari rus shënjestron avionin francez
Tensionet po rriten në qiejt mbi Detin Baltik, ku një avion i marinës franceze u vu në shënjestër nga një radar rus. Avioni në fjalë, një Atlantique-2 po kryente një mision vëzhgimi si pjesë e operacionit Baltik Sentry të NATO-s, në përgjigje të dëmtimit të pretenduar të shkaktuar nga Moska në kabllot nënujore në rajon.
Në një moment të caktuar, dhe pa asnjë paralajmërim avioni i Parisit përfundoi viktimë e një “përpjekje bllokimi” si dhe një përcaktimi radari i kontrollit të zjarrit sipas një komunikimi nga ushtria franceze.
“Ky veprim agresiv rus është i papranueshëm, forcat tona të armatosura do të vazhdojnë të veprojnë për të mbrojtur lirinë e lundrimit në hapësirat ndërkombëtare ajrore dhe detare,” deklaroi ministri francez i Mbrojtjes Sebastien Lecornu.
Rajoni Baltik mbetet në gatishmëri të lartë pas një sërë ndërprerjesh të energjisë dhe ndërprerjeve në infrastrukturën e telekomit dhe gazit që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë në vitin 2022. Në fund të dhjetorit, NATO kishte vendosur të forcojë praninë e saj në Detin Baltik pas sabotimit të dyshuar të një kablloje elektrike nënujore dhe katër kabllove të internetit.
Dëmtimi i kabllove nënujore ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në komunikimet ndërkombëtare dhe ka shkaktuar vonesa në rrjedhën e të dhënave për disa shtete. Për këtë arsye, NATO mori masa për të rritur mbikëqyrjen dhe për të siguruar vazhdimësinë e operacioneve në këtë rajon strategjik.