Kërcet arma në shkollën e mesme, nxënësi plagos dy dekanët dhe arratiset
Një alarm është ngritur në zonën e Denverit, në SHBA, pasi mëngjesin e së mërkurës (me orën lokale) ka pasur të shtëna në East High School.
Policia e Shtetit të Kolorados thotë se dy të plagosur janë transportuar në spital.
“Në këtë moment janë lokalizuar dhe transportuar në spitalet e zonës dy viktima të rritura. Besohet se i dyshuari nuk është më në vendin e të shtënave dhe hetimet janë duke vazhduar".
Sipas mediave amerikane, janë dy dekanë të shkollës që janë qëlluar me armë zjarri nga një nxënës, i cili aktualisht rezulton i zhdukur.
Shefi i policisë së Denverit, Ron Thomas tha se të shtënat në East High School u raportuan rreth orës 9:50 të mëngjesit dhe se policia dhe mjekët arritën në vendngjarje "shumë shpejt" dhe gjetën dy burra të rritur me plagë me armë zjarri.
Siç tha ai, njëri nga të lënduarit është në gjendje stabile dhe i dyti në gjendje kritike.
Gjatë hetimeve është gjetur një pistoletë dhe nxënësi është larguar nga shkolla dhe po punohet për gjetjen e tij.
"Ne jemi në kërkim të të dyshuarit," tha kryebashkiaku Michael Hancock nga ana e tij.
"Ne do ta gjejmë atë dhe do ta mbajmë përgjegjës për veprimet e tij, të cilat na vënë në rrezik të gjithëve dhe sigurisht dy anëtarët e stafit që u plagosën në të shtënat ndërsa bënin punën e tyre dhe përpiqeshin të mbanin të tjerët të sigurt."
Kryebashkiaku u kërkoi banorëve të ishin në vëzhgim për studentin, i cili përshkruhet si një 18-vjeçar afrikano-amerikan i veshur me një kapuç që të kujton helmetën e një astronauti.
Studenti konsiderohet “i armatosur dhe i rrezikshëm dhe i gatshëm për të përdorur armën”, shtoi kryebashkiaku.