Të drejtat e njeriut në Afganistan, zyrtarët talibanë zbresin në Oslo për bisedime me Perëndimin

Të drejtat e njeriut në Afganistan, zyrtarët talibanë

Zyrtarë të qeverisë talebane në Afganistan kanë zbritur në Oslo këtë të dielë për të biseduar me diplomatët, gazetarët dhe aktivistët perëndimorë mbi zbatimin e disa lirive thelbësore në Afganistan. Një ish-ministre afgane që sot jeton në Norvegji ka refuzuar të takohet me talebanët, pasi, sipas saj, bisedimet vetëm sa legjitimojnë edhe më shumë politikat e tyre, ndërsa populli afgan është ai që vuan.

Një delegacion me zyrtarë të qeverisë talebane të Afganistanit ka mbërritur këtë fundjavë në Oslo të Norvegjisë për bisedime me aktorët politik perëndimorë mbi zbatimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Afganistan.

E drejta e grave për t’u arsimuar, e drejta për të protestuar, kriza ekonomike dhe shqetësimet për terrorizëm janë disa nga pikat në agjendën e bisedimeve mes palëve.

Ky është delegacioni i parë i talebanëve që viziton Evropën që nga marrja e pushtetit në Afganistan. Delegacioni kryesohet nga ministri i Jashtëm në detyrë Amir Khan Muttaqi dhe bisedimet do të zgjasin tre ditë.

Në ditën e parë do të ketë takime dhe bisedime me aktivistë të të drejtave të njeriut dhe gazetarë, ndërsa takimet diplomatike do të zhvillohen të hënën dhe të martën e 24 dhe 25 janarit.

Ministria e Jashtme norvegjeze njoftoi se delegacioni i talebanëve do të takohet gjithashtu me gratë, gazetarët dhe aktivistët afganë të mbërritur në Norvegji pas largimit të tyre nga atdheu.

Amerikanët do të përfaqësohen në këto bisedime nga Tom Ëest, Përfaqësuesi Special për Afganistanin.

Edhe më herët amerikanët kanë shprehur shqetësimet e tyre që vendi të mos kthehet në një vatër të re të terrorizmit botëror, teksa kanë kushtëzuar ndihmat humanitare për vendin e zhytur në krizë ekonomike derisa talebanët të shfaqin vullnet politik për të lejuar arsimimin e grave dhe disa të drejta të tjera themelore të njeriut.

Më 21 janar, Ministrja e Jashtme norvegjeze theksoi se vizita nuk ishte një legjitimim apo njohje e qeverisë së talebanëve. Por, sipas zyrtares norvegjeze, duhet të bisedojmë me ata që qeverisin vendin.

Sa i përket këtyre takimeve, ish-ministrja afgane Nargis Nehan shprehet dyshuese për efektivitetin e tyre.

Ish-ministrja që tani jeton në Norvegji ka refuzuar të marrë pjesë sepse, sipas saj, bisedimet do të normalizonin talebanët dhe do t'i forcojnë ata, ndërkohë që nuk ka asnjë mënyrë që talebanët të ndryshojnë mendësi.

Nëse shohim se çfarë ndodh në bisedimet gjatë tre vjetëve të fundit, talebanët vazhdojnë të marrin atë që kërkojnë nga komuniteti ndërkombëtar dhe ai që vuan është populli afgan, - thotë ish-ministrja Nehan.

EMISIONET