Skena kaotike në Siçili pas mbipopullimit në kampet e migrantëve
Një qendër e pritjes së migrantëve në ishullin italian të Siçilisë u shndërrua sot në vendin e skenave kaotike, me rreth 100 migrantë që u larguan nga kampi, duke i ngjitur mbi gardhe dhe thyer barrierat, sipas raporteve të medias.
Forcat e emergjencës u përpoqën pa sukses të ndalonin migrantët.
Kryetari i bashkisë së qytetit port jugor të Porto Empedocle tha se migrantët po dilnin nga kampi për shkak të kushteve të këqija.
“Ata nuk ikën për të shkuar në vende të tjera, por për të kërkuar ushqim dhe pije”, tha kryebashkiaku, Calogero Martello për “RaiNews”.
Ai i quajti kushtet e kampit çnjerëzore dhe kërkoi mbështetje nga qeveria në Romë.
Me mijëra migrantë që mbërritën në ishullin italian të Lampedusas javën e kaluar, më shumë se 1,000 prej tyre u dërguan në kampin siçilian për disa ditë.
Porto Empedocle konsiderohet një pikë tranziti për migrantët që vijnë nga Lampedusa e mbipopulluar për t’u dërguar në qytete të tjera.