Shqipëria dhuron 1 milion euro për Ukrainën

Shqipëria dhuroi 1 milion euro për t’i ardhur në ndihmë Ukrainë për të rindërtuar qytetet e shkatërruar nga lufta me Rusinë.

Në konferencën ndërkombëtarë të donatorëve të mbajtur në Varshavë me kërkesën e Polonisë dhe Suedisë, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama ka bërë me dije se vendi ynë do të jetë në krah të popullit ukrainas.

Rama: Shqipëria synon të kontribuojë me 1 milionë euro. E di që kjo nuk do të ndryshojë fatin e luftës e të rindërtimit. Deri në fund ne do të bëjmë më të mirën për të nderuar detyrimin tonë ndaj miqve tanë Ukrainas dhe popullit ukrainas, duke synuar sigurisht atë çka të gjithë këtu synojnë, që të kemi një fund të kësaj lufte e të shohim paqen të mbërrijë sa më shpejt të jetë e mundur.

Gjithashtu Rama në krah të liderve të Europës ka treguar edhe reagimin e Shqipërisë në fillim të agresionit rus ndaj Ukrainës.

Rama: Nga ana tjetër, në aspektin dypalësh kemi qenë nga të parët që kemi dhënë kontributin tonë me municione për forcat e armatosura të Ukrainës dhe në të njëjtën kohë kemi miratuar të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor për të lejuar qytetarët ukrainas që të vijnë në vendin tonë për periudhat kohore për të cilat kanë nevojë ose për të cilët duan të rrinë. 

Të hënën, me anë të një videomesazhi presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky i kërkoi qeverisë shqiptare që të ndalojë hyrjen e turistëve rus në Shqipëri.

Por për këtë kërkesë, Edi Rama nuk ka arrritur t’i japë Zelenskyt një përgjigje pozitive.

EMISIONET