Shpërthimi në “Nord Stream”, Gjermania akuzon Poloninë për sabotim të hetimeve

Shpërthimi në “Nord Stream”, Gjermania akuzon

Pothuajse dy vjet më parë, disa shpërthime në Detin Baltik bënë bujë në mbarë botën. Shumë shpejt u bë e ditur se tre nga katër këmbët e tubacioneve të gazit Nord Stream 1 dhe 2, të cilat ishin vendosur për të sjellë gazin rus në Gjermani, janë shkatërruar.

Hetuesit gjermanë besojnë se mund ta kenë përgjigjen për autorët e sulmit. I dyshuari kryesor është një instruktor ukrainas zhytjeje i quajtur Volodymyr Z., i cili ka jetuar për herë të fundit pranë Varshavës. Hetuesit dyshojnë se ai ka kryer sulmin së bashku me pesë ukrainas të tjerë, por para se të arrestohej, i dyshuari u largua për në vendin e tij.

Duke pasur parasysh që autoritetet në Varshavë duhet ta mbanin nën mbikëqyrje, hetuesit gjermanë tanimë po akuzojnë Poloninë për dështim në ekzekutimin e urdhrave evropianë të arrestit dhe kërkimit, të lëshuara në qershor nga Gjykata Federale e Drejtësisë në Gjermani kundër Volodymyr Z.

Policia federale kriminale e Gjermanisë dhe zyra e prokurorisë publike federale janë të pakënaqur. Një zyrtar i njohur me hetimin ka bërë një akuzë të rëndë për Welt Am Sonntag, duke pretenduar se Polonia po saboton hetimin. Një tjetër person i njohur me hetimin e quajti episodin “pengim të drejtësisë”.

“Qeveria polake me sa duket e la të shkojë për të mbuluar përfshirjen e saj në sulmin ndaj tubacioneve të gazit”, tha August Hanning, ish-kreu i Shërbimit Federal të Inteligjencës të Gjermanisë.

Ai është i bindur se presidentët e Polonisë dhe Ukrainës, Andrzej Duda dhe Volodymyr Zelensky, ishin në dijeni të planeve të sulmit. “Operacione të përmasave të tilla janë të paimagjinueshme pa miratimin e liderëve politikë të vendeve të përfshira”, theksoi Hanning.

Hetuesit thonë se ekuipazhi i zhytësve prej gjashtë anëtarësh që dyshohet se aktivizoi eksplozivin nga varka me vela Andromeda ishte trajnuar në Poloni.

Hetuesit besojnë gjithashtu se Varshava mund të ketë ofruar mbështetje logjistike për operacionin nënujor. Anëtarët e ekuipazhit në Andromeda dyshohet se kanë ngarkuar pajisjet e nevojshme për sulmin në vendpushimin bregdetar të Kolobrzeg, ku anija u ndal shtatë ditë para shpërthimit.

Hetuesit gjermanë akuzojnë gjithashtu autoritetet polake për ndalimin e qëllimshëm të pamjeve video nga marina e Kolobrzeg. Ky refuzim nxiti dyshimet gjermane për një mbulim të ngjarjes nga ana e Polonisë.

Por në Varshavë thonë se janë të indinjuar nga akuzat që vijnë nga Berlini. “Pretendimi se Ukraina e kreu këtë veprim nën dijeninë dhe miratimin polak është plotësisht i pabazuar”, tha Jacek Sieviera, kreu i Byrosë së Sigurisë Kombëtare të Polonisë.

Ai tha se akuzat dhe insinuatat vijnë nga një rreth i ngushtë i ish-zyrtarëve pro-rusë, të cilët nuk janë më në pozitat e pushtetit. “Polonia”, tha ai – “po heton të gjitha pistat, duke përfshirë mundësinë që Rusia të jetë përfshirë në sulm”./ A2CNN

EMISIONET