Sekretari i Jashtëm britanik: ‘Vështirë të shihet’ se si mohimi i ndihmës së Izraelit në Gaza përputhet me ligjin ndërkombëtar

Sekretari i Jashtëm britanik: ‘Vështirë të

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, u tha anëtarëve të parlamentit të enjten se është "e vështirë të shihet" se si vendimi i Izraelit për të bllokuar ndihmën humanitare për Rripin e Gazës përputhet me ligjin ndërkombëtar humanitar, ndërsa kriza humanitare thellohet.

Lammy iu drejtua sulmeve të ripërtërira izraelite në Gaza dhe i përshkroi sulmet ajrore si një "humbje të tmerrshme jetësh", me kryesisht gra dhe fëmijë të vrarë në breshëritë e raketave dhe artilerisë.

"Kjo duket të ketë qenë dita e vetme më vdekjeprurëse për palestinezët, që nga fillimi i luftës. Kjo është një humbje e tmerrshme jetësh dhe ne vajtojmë humbjen e çdo civili," tha ai në Dhomën e Komunave.

Lammy konfirmoi gjithashtu se një shtetas britanik ishte në mesin e të plagosurve, kur një kompleks i OKB-së u godit të mërkurën.

"Forcat izraelite nuk filluan të tërhiqen nga Korridori i Filadelfit siç ishte rënë dakor,d dhe më 2 mars qeveria izraelite njoftoi se po bllokonte të gjitha dërgesat e mëtejshme të ndihmës, derisa Hamasi të pranonte kushtet e tij," tha ai.

Kjo bllokadë ka lënë më shumë se gjysmë milioni civilë pa akses në ujë të pijshëm të pastër dhe ka çuar në një rritje 200% të çmimit të artikujve ushqimorë thelbësorë, nënvizoi ai.

"Siç i thashë Dhomës të hënën, kjo është e tmerrshme dhe e papranueshme," tha Lammy.

"Në fund të fundit, sigurisht, këto janë çështje që duhet t'i përcaktojnë gjykatat, jo qeveritë, por është e vështirë të shihet se si mohimi i ndihmës humanitare për një popullsi civile, mund të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare."

Më shumë se 700 palestinezë u vranë dhe mbi 900 u plagosën, në një fushatë të befasishme ajrore nga Izraeli në Gaza që nga e marta, duke shkatërruar një armëpushim dhe marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve që u zbatua në janar.

Gati 50,000 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe rreth 113,000 janë plagosur në një sulm brutal ushtarak izraelit në Gaza, që nga tetori i vitit 2023.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi ​​urdhër-arrest për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes ,Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.

EMISIONET