Rusia, thirrje qytetarëve të saj të mos udhëtojnë në vendet perëndimore gjatë Krishtlindjeve
Rusia tha sot se marrëdhëniet me SHBA-në janë në një nivel kaq konfrontues saqë qytetarët rusë nuk duhet të udhëtojnë në SHBA, Kanada dhe disa vende të BE-së, sepse rrezikojnë të “ndiqen” nga autoritetet. Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse, tha se marrëdhëniet me SHBA-në janë në prag të prishjes.
“Në kontekstin e përshkallëzimit të konfrontimit në marrëdhëniet ruso-amerikane, të cilat janë në kufijtë e këputjes për fajin e Uashingtonit, udhëtimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në cilësinë private ose zyrtare mbart rreziqe serioze,” tha Zakharova në një deklaratë.
“Ne ju nxisim që të vazhdoni të përmbaheni nga udhëtimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet aleate të saj, duke përfshirë kryesisht Kanadanë dhe, me disa përjashtime, vendet e Bashkimit Evropian gjatë këtyre festave”, tha Zakharova.
Diplomatët rusë dhe amerikanë thonë se marrëdhënia midis dy vendeve është më e keqja e të gjitha kohërave, që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962 për mosmarrëveshjet rreth luftës në Ukrainë.