Rusia rrit fuqinë ushtarake në veriperëndim pas anëtarësimit të Finlandës në NATO
Rusia do të forcojë fuqinë e saj ushtarake në rajonet e saj perëndimore dhe veriperëndimore në përgjigje të pranimit të Finlandës në NATO sot, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grushko, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA.
Finlanda do të bëhet nesër anëtarja e 31-të e Aleancës Atlantike, njoftoi më herët sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke konfirmuar njoftimin e bërë më herët nga presidenca finlandeze.
Finlanda ka një kufi 1300 kilometra me Rusinë dhe me hyrjen e saj në Aleancë, kilometrat e kufirit që ndajnë vendet anëtare të NATO-s me Rusinë pothuajse do të dyfishohen.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha vitin e kaluar se Rusia po merrte "kundërmasat e duhura" dhe do të formonte 12 njësi dhe divizione në rajonin e saj ushtarak perëndimor.
Grusko i tha RIA: “Ne do të forcojmë aftësitë tona ushtarake në drejtimin perëndimor dhe veriperëndimor. Në rast se forcat dhe burimet e anëtarëve të tjerë të NATO-s vendosen në Finlandë, ne do të marrim masa shtesë për të garantuar me siguri sigurinë ushtarake të Rusisë."