Rusi - Arrestohet zëvendësshefi i shtabit të përgjithshëm pas akuzave për korrupsion të nivelit të lartë

Rusi - Arrestohet zëvendësshefi i shtabit të

Zëvendësshefi i shtabit të përgjithshëm rus, gjeneral-lejtnant Vadim Shamarin është arrestuar pas akuzave për korrupsion, njoftoi sot media shtetërore.

“Një gjykatë ushtarake në Moskë urdhëroi sot që Shamarin, 52 vjeç, të mbahet në paraburgim për dy muaj, ndërsa hetimet vazhdojnë. Shamarin dyshohet se ka pranuar ryshfet në një shkallë kryesisht të madhe”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Detajet e hetimit nuk u publikuan. Shamarin, i cili drejton njësinë e komunikimit të shtabit të përgjithshëm, raportohet se ka marrë ryshfet gjatë lidhjes së kontratave.

Udhëheqja ushtarake ruse është goditur prej disa javësh nga një sërë skandalesh korrupsioni dhe arrestimesh.

Gazeta e përditshme “Kommersant” raportoi se ishte kryer një kontroll përpara arrestimit të Shamarin.

Gjenerali ishte arrestuar përpara një seance dëgjimore të departamentit ushtarak të komisionit hetimor dhe më pas ishte dërguar në paraburgim.

Më herët, autoritetet ruse arrestuan ish-zëvendësministrin e Mbrojtjes Timur Ivanov dhe Yuri Kuznetsov, kreun e departamentit të personelit.

Akuzat për korrupsion ekstrem kanë ndodhur shpesh kundër udhëheqjes ushtarake ruse.

Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit “Wagner” është ankuar vazhdimisht duke ia atribuar pengesat në frontin në Ukrainë korrupsionit të nivelit të lartë.

Prigozhin, dikur aleat i ngushtë i presidentit Vladimir Putin vdiq në një aksident me avion në gusht të vitit të kaluar, dy muaj pasi ai udhëhoqi një kryengritje të dështuar.

Eksperti i Ekonomisë Andrei Belousov është emëruar ministër i ri i Mbrojtjes, i cili do të marrë përgjegjësinë për shpenzimet në ministri.

Valery Gerasimov do të vazhdojë në postin e tij si shef i shtabit të përgjithshëm.

EMISIONET