Rritja e çmimeve të karburanteve ul konsumin në Europë, sinjale të reja ngadalësimi ekonomik!

 Rritja e çmimeve të karburanteve ul konsumin në Europë,

Rritja e fortë e çmimeve të energjisë po detyron drejtuesit e automjeteve në Europë të kufizojnë konsumin e karburanteve, duke shtuar sinjalet se goditja e re energjetike po prek drejtpërdrejt buxhetet familjare dhe aktivitetin ekonomik.

Sipas të dhënave të cituara nga Financial Times, shitjet e karburanteve për automjete në Eurozonë ranë me 3.5% në prill krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia më e madhe që nga tetori 2023.Në disa vende, si Gjermania, Austria dhe Norvegjia, konsumi ka pësuar rënie me dy shifra, ndërsa në Britaninë e Madhe shitjet e karburanteve ranë me rreth 10%.

Zhvillimi vjen pas rritjes së çmimeve të naftës dhe produkte

ve të rafinuara, të shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjet e furnizimeve energjetike. Sipas raportit, çmimet e naftës diesel në Bashkimin Europian janë rritur mesatarisht me 33.7%, ndërsa benzina me 13.6%.

Analistët vlerësojnë se konsumatorët po reagojnë duke kufizuar udhëtimet, duke shtyrë mbushjen e rezervuarëve ose duke kërkuar alternativa më ekonomike transporti.

Kjo po ndodh në një moment kur inflacioni në Eurozonë është rikthyer në rritje, duke arritur në 3.2% në maj, kryesisht si pasojë e kostove më të larta të energjisë. Për të zbutur goditjen, qeveritë europiane kanë ndërhyrë me masa të ndryshme, duke përfshirë ulje taksash dhe subvencione për energjinë.

Sipas vlerësimeve, ndërhyrjet fiskale kanë kaluar 11 miliardë euro, megjithëse ekspertët paralajmërojnë se mbështetja e përgjithshme e çmimeve mund të rëndojë financat publike dhe të krijojë shtrembërime në treg.


Shitjet e karburanteve përdoren shpesh si një tregues indirekt i aktivitetit ekonomik dhe konsumit të familjeve. Kur çmimet rriten ndjeshëm, familjet reduktojnë udhëtimet jo të domosdoshme, ndërsa bizneset përballen me kosto më të larta transporti.

Rënia e konsumit të karburanteve është gjithashtu një sinjal se goditja energjetike po fillon të ndikojë në kërkesën e brendshme. Në javët e fundit, një sërë treguesish ekonomikë në Eurozonë kanë treguar ngadalësim të aktivitetit, ndërsa bizneset dhe konsumatorët po përballen me kosto më të larta të energjisë.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se kërkesa mund të rikuperohet pjesërisht gjatë verës. Rritja e çmimeve të biletave ajrore po shtyn disa familje të zgjedhin pushime me makinë në vend të fluturimeve, çka mund të mbështesë konsumin e benzinës gjatë sezonit turistik./Monitor

EMISIONET