Rrëshqitja e dheut në Filipine, shkon në 68 numri i të vdekurve

Rrëshqitja e dheut në Filipine, shkon në 68 numri i të

Është rritur në 68 numri i të vdekurve si pasojë e rrëshqitjes së dheut në një fshat në jug të Filipineve para rreth një jave, njoftuan zyrtarët filipinas të hënën.

Zyrtarët thonë se edhe 51 njerëz të tjerë janë ende të zhdukur pas fatkeqësisë së 6 shkurtit në provincën Davao de Oro, por ekipet e shpëtimit e kanë pranuar se ka pak shpresa për të gjetur të mbijetuar të tjerë.

Personi i fundit që u nxor i gjallë nga balta ishte një vajzë trivjeçare. Shpëtimi i saj – pas më shumë se 60 orëve të kaluara nën dhe – u cilësua si mrekulli.

Edward Macapili, një zyrtar provinca Davao de Oro, kishte thënë se shpëtimi i saj u kishte dhënë shpresë ekipeve të shpëtimit.

Por, të hënën, ato shpresa u duke se u shuan. “U bë një javë pas incidentit dhe… ne mendojmë se askush nuk ka mbetur i gjallë atje”, tha Macapili për agjencinë e lajmeve AFP.

Rrëshqitja e dheut ndodhi të martën e kaluar në mbrëmje, dhe i shkatërroi 55 shtëpi, si dhe i ngufati tre autobusë dhe një minibus, të cilët po prisnin për t’i marrë punëtorët nga një minierë ari në këtë fshat.

Rrëshqitjet e dheut janë të shpeshta në shumicën e pjesëve të Filipineve, për shkak të terrenit malor, shirave të mëdha dhe shpyllëzimit të madh.

Shirat e mëdha sezonale kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe vërshime në Mindanao, duke i detyruar dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosen në strehimore emergjente.

Kjo zonë është goditur edhe nga një sërë tërmetesh, përfshirë të shtunën e kaluar kur ekipet e shpëtimit u detyruan ta ndërprisnin punën për shkak të një tërmeti 5.9 ballësh./ REL

EMISIONET