Republika Çeke nuk do të japë viza për dezertorët rusë
Republika Çeke nuk do të lëshojë viza humanitare për rusët që ikin nga vendi i tyre për të shmangur rekrutim të shpallur nga Presidenti Vladimir Putin, tha sot ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky.
Shumë rusë duket se duan të largohen nga vendi i tyre pasi Putin njoftoi të mërkurën rekrutimin e 300,000 personave shtesë për të përforcuar forcat ushtarake ruse që pushtuan Ukrainën më 24 shkurt.
"Unë e kuptoj se rusët po ikin nga vendimet gjithnjë e më të dëshpëruara të marra nga Putin," tha ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky në një deklaratë të marrë nga AFP.
"Por ata që largohen nga vendi i tyre sepse nuk duan të përmbushin një detyrë të vendosur nga shteti i tyre nuk i plotësojnë kriteret për të marrë një vizë për arsye humanitare," theksoi Lipavsky, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së.
Kështu, çekët kanë një qëndrim të ndryshëm në lidhje me dezertorët rusë, krahasuar me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, veçanërisht Gjermaninë, e cila sot deklaroi se është e gatshme t'i pranojë ata.
“Kushdo që kundërshton me guxim Putinin dhe për këtë arsye është në rrezik, mund të aplikojë për azil politik në Gjermani”, tha ministrja e Brendshme gjermane Nancy Fesser.
Republika Çeke ndaloi lëshimin e vizave për rusët pas pushtimit të Ukrainës, por më vonë bëri përjashtime në rastet kur kishte arsye humanitare.