Raporti i OBSH: Alkooli vret rreth 2.6 milionë njerëz çdo vit, ja cilat grupmosha që preken më shumë

Raporti i OBSH: Alkooli vret rreth 2.6 milionë njerëz çdo vit,

Alkooli vret 2.6 milionë njerëz çdo vit, tha sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), një shifër që mbetet ende e lartë pavarësisht një rënie të lehtë në vitet e fundit. Raporti i fundit i OBSH-së për alkoolin dhe shëndetin tregon se alkooli shkakton pothuajse një në 20 vdekje çdo vit në mbarë botën, duke përfshirë aksidentet rrugore, dhunën dhe një sërë sëmundjesh dhe çrregullimesh.

Sipas raportit, 2.6 milionë vdekje i janë atribuar alkoolit në vitin 2019 – bazuar në statistikat më të fundit në dispozicion – një shifër që barazohet me 4.7% të vdekjeve në mbarë botën atë vit. Tre të katërtat e këtyre vdekjeve përfshijnë burra.

“Përdorimi i substancave dëmton seriozisht shëndetin e njeriut, rrit rrezikun e sëmundjeve kronike dhe sëmundjeve mendore dhe çon në miliona vdekje të parandalueshme çdo vit.”, tha në një deklaratë shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus

Përqindja më e lartë e vdekjeve që i atribuohen alkoolit në vitin 2019 ishte në grupmoshën 20-39 vjeç, 13% e vdekjeve. Alkooli shkakton një sërë sëmundjesh, duke përfshirë cirrozën e mëlçisë dhe disa lloje kanceri. Nga 2.6 milionë vdekje të lidhura me alkoolin në vitin 2019, raporti tregon se 1.6 milionë njerëz vdiqën nga sëmundjet jo të transmetueshme, duke përfshirë 474,000 nga sëmundjet kardiovaskulare dhe 401,000 nga kanceri. Një shtesë prej 724,000 vdekjesh rezultojnë nga lëndimet, duke përfshirë trafikun dhe lëndimet e vetëshkaktuara.

Abuzimi me alkoolin gjithashtu i bën njerëzit më të prekshëm ndaj sëmundjeve infektive si tuberkulozi, SIDA dhe pneumonia. Rreth 209 milionë njerëz ishin të varur nga alkooli në vitin 2019, ose 3.7% e popullsisë së botës. Në të njëjtën kohë, konsumi individual vjetor ra lehtë, në 5.5 litra në 2019 krahasuar me 5.7 litra nëntë vjet më parë, sipas raportit.  Megjithatë, niveli i konsumit është i shpërndarë në mënyrë të pabarabartë në mbarë botën, ku më shumë se 50% e popullsisë së botës mbi moshën 15 vjeç abstenojnë plotësisht.

Europa regjistron nivelet më të larta të konsumit, me 9.2 litra alkool mesatarisht në vit, e ndjekur nga SHBA me 7.5 litra. Konsumi më i ulët gjendet në vendet kryesisht myslimane në Afrikën e Veriut, Lindjen e Mesme dhe Azinë, thekson raporti. Mesatarisht, një konsumues i alkoolit ka konsumuar 27 gram alkool në ditë në vitin 2019, sipas raportit. Kjo është afërsisht e barabartë me dy gota verë, dy birra ose dy gota pije të forta.

“Ky nivel dhe frekuencë konsumi shoqërohet me rreziqe më të larta të shumë sëmundjeve, si dhe me vdekshmëri dhe paaftësi të lidhura”, paralajmëron OBSH.

Në vitin 2019, 38% e përdoruesve të rregullt të alkoolit pranuan se ishin përfshirë në episode të pirjes së rëndë, të përcaktuara si pirja e të paktën 60 gramë alkool të pastër në një ose më shumë raste gjatë muajit të kaluar. Në nivel global, 23.5% e moshave 15-19 vjeç konsiderohen pijanec të rregullt. Megjithatë, shifra shkon në mbi 45% për njerëzit e kësaj moshe që jetojnë në Evropë dhe pothuajse 44% për ata që jetojnë në Amerikë.

Duke pasur parasysh shkallën e problemit, OBSH thekson nevojën urgjente për të përmirësuar aksesin në trajtim cilësor për çrregullimet e përdorimit të substancave. Në vitin 2019, përqindja e njerëzve që ranë në kontakt me shërbimet e varësisë nga droga varionte nga më pak se 1% deri në 35%, në varësi të vendit të ekzaminuar në studim.

"Stigma, diskriminimi dhe keqkuptimet në lidhje me efektivitetin e trajtimeve kontribuojnë në këto boshllëqe serioze në disponueshmërinë e trajtimeve ," tha Vladimir Pozniak , kreu i divizionit të alkoolit, drogës dhe sjelljeve të varësisë në OBSH.

EMISIONET