Qeveria gjermane "në dorë" të koalicioneve

Qeveria gjermane "në dorë" të koalicioneve

Gjermanët votuan për një ndryshim në zgjedhjet parlamentare të së dielës, por ia kanë lënë në dorë partive politike të përcaktojnë të ardhmen e qeverisë.

Socialdemokratët fituan 25,7 për qind të votave, duke mundur pas 16 vitesh unionin kristian-demokrat CDU-CSU, i cili pësoi rezultatin e vet më të dobët me 24,1 për qind të votave.

"Shumë qytetarë i vunë kryqin kutisë së SPD-së sepse ata deshën një ndryshim në qeverisje dhe sepse duan që kancelari i ardhshëm i vendit të quhet Olaf Sholc," deklaroi kreu i socialdemokratëve.

Sidoqoftë, dy partive të mëdha u duhen aleatë për të formuar qeverinë e re.

Fati i qeverisë do të varet nga dy partitë e tjera ndjekëse, nga të Gjelbrit që nga pozicioni i tretë do të kontrollojnë rreth 15 për qind të parlamentit dhe nga liberalët me 11-përqindëshin tjetër.

Liberalët kanë thënë paraprakisht se do të preferonin një qeveri në bllok me CDU-CSU-në, por për këtë do duhet të konsultohen edhe me të Gjelbrit.

Bisedimet për një koalicion të tillë dështuan në vitin 2017, dhe negociatat për qeverinë mund të vazhdojnë edhe sivjet për tre muajt e ardhshëm.

EMISIONET