Putin: Jemi akuzuar për gjithçka, Rusia po fajësohet pa prova

Putin: Jemi akuzuar për gjithçka, Rusia po fajësohet pa prova

Marrëdhëniet SHBA-Rusi pritet të marrin një tjetër dimension pas samitit të së mërkurës mes presidentëve Joe Biden dhe Vladimir Putin.

Takimi në Gjenevë po shihet nga të dyja palët si mundësi për bashkëpunim dhe për të shoshitur akuzat reciproke.

Kryeshtetari rus, Vladimir Putin, pranoi të hënën në televizionin amerikan, "NBC", se raportet mes dy shteteve janë në pikët më të ulët.

"Më e rëndësishmja në çështjet ndërkombëtare është parashikueshmëria dhe stabiliteti. Besoj se nga ana e partnerëve tanë amerikanë diçka  të tillë ne nuk e shohim prej vitesh."

Rusia po shkon në samit me paragjykimin se shihet si një tabelë qitjeje nga Perëndimi, për akuza që lidhen me sulme, veprime agresive dhe ndërhyrje të cilat presidenti Putin mendon se mund të aplikohen edhe për vetë Perëndimin.

"Jemi akuzuar për gjithçka: për ndërhyrje në zgjedhje, për sulme kibernetike e të tjera, dhe asnjëherë të vetme nuk janë munduar të na japin qoftë një provë të vetme, por thjesht akuza të pabaza."

Në përfundim të samitit me liderët e tjerë të NATO-s, presidenti Biden e quajti të hënën Putinin një kundërshtar të fortë dhe të denjë.

"Duhet të ketë bashkëpunim, dhe ne duhet të vendosim se ku për interesin e përbashkët por edhe të botës. Dhe për fushat që nuk merremi vesh, të bëjmë të qarta vijat tona të kuqe. Unë e kam takuar presidentin Putin. Ai është i zgjuar, i fortë dhe kam mësuar, siç thuhet në lojërat me top, se është një kundërshtar i denjë," deklaroi presidenti amerikan përpara takimit dypalësh në Gjenevë.

 

EMISIONET