Propaganda ruse në Ballkan, Moska shfrytëzon politikanë, institucione fetare dhe mediat
Politikanët, institucionet fetare dhe mediat shfrytëzohen nga Rusia për të përhapur propagandën e saj në Ballkanin Perëndimor. Kjo u tha në Samitin ballkanik për dezinformim që u mbajt në Prishtinë nën organizimin e “The Geopost”.
Propaganda synon të kthejë njerëzit kundër Perëndimit dhe për të shkaktuar destabilitet në rajon. Në këtë samit u theksua edhe fakti që politika e Beogradit nuk ka bërë asgjë për të parandaluar ndikimin rus. Në panele u theksua se duhet të ketë bashkim forcash në mënyrë që njerëzit të edukohen për të dalluar lajmet e rreme.
“Kemi një studim që është kryer me shërbyes civilë, jo vetëm me ata që punojnë nëpër institucione por edhe me mjekë e gjyqtarë, njerëz më të shkolluar të shoqërisë, edhe ata ndikohen nga dezinformimi dhe nuk janë në gjendje të dallojnë lajmin e rremë nga lajmi i saktë. [...] Është e pamundur t’i ndalim lajmet e rreme por ne duhet të ngushtojmë hapësirën për to”, tha Jasna Jelisic nga EEAS.
Të pranishmit në këtë samit u shprehën se Rusia do të shfrytëzojë të gjitha mjetet në dispozicion për të arritur qëllimet e saj.
“Mos i nënvlerësoni rusët, ata janë duke punuar dhe janë duke përdorur njerëz prorusë, përdorin akademikë, politikanë, japin mito, për të çuar përpara agjendat e tyre. Ata nuk do të ndalen”, tha profesori Vladimir Sazanov.
Samiti trajtoi problemin e dezinformatave edhe në Evropë, Lindjen e Mesme por edhe ndikimin e tyre në agresionin rus në Ukrainë.