Presidenti ukrainas: Nuk negociojmë me Rusinë përsa kohë Putin është në pushtet

Presidenti ukrainas: Nuk negociojmë me Rusinë përsa kohë

Ukraina është gati të hyjë në negociata me Federatën Ruse, por vetëm kur Vladimir Putin të mos jetë më në pushtet. 

Kështu ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një video-mesazh të publikuar në fund të mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurimit. 

Zelensky vuri në dukje se Ukraina ishte dhe është një "lider në përpjekjet" për të çuar përpara negociatat. 

“Ishte vendi ynë që i ofroi Rusisë një marrëveshje për bashkëjetesë në kushte të drejta, të ndershme, dinjitoze dhe të barabarta”, tha Zelensky.

Ai u zotua se “i gjithë territori i vendit tonë do të çlirohet nga armiku, armiku jo vetëm i Ukrainës, por edhe i vetë jetës, i njerëzimit, i ligjit dhe i së vërtetës”. 

"Moska po përpiqet të vjedhë diçka që nuk i përket, ajo dëshiron të rishkruajë historinë dhe të rishikojë kufijtë me vrasje, abuzime, shantazhe dhe gënjeshtra. Ukraina nuk do ta lejojë atë. Nëse ne nuk e ndalojmë atë, Rusia nuk do të ndalet në kufijtë tanë. Të tjerët do të sulmohen: shtetet baltike, Polonia, Moldavia dhe Gjeorgjia, Kazakistani" tha ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një takim me krerët e forcave të sigurisë dhe ushtrisë për furnizimet ushtarake për trupat dhe zhvillimet e fundit në terren. 

Kjo u raportua nga shërbimi i shtypit presidencial, i cituar nga UNIAN. Gjatë takimit, saktësohet, se janë analizuar raportet e komandantëve të linjave operacionale për situatën aktuale në zonat e frontit dhe janë diskutuar planet për “çlirimin e mëtejshëm të tokave të Ukrainës nga pushtuesit”.

Po sot presidenti ukrainas Zelensky, vetëm pak orë pas fjalimit të Putinit për aneksimin e rajoneve të Ukrainës, njoftoi se ka nënshkruar dokumentin që kërkon pranimin e përshpejtuar të Kievit në NATO.

EMISIONET