Gjenerali amerikan: Pushtimi do të ishte i tmerrshëm me numër të lartë viktimash

Gjenerali amerikan: Pushtimi do të ishte i tmerrshëm me numër

Gjenerali amerikan, Mark Milley e ka konsideruar një situatë të tmerrshme dhe me numër të lartë të viktimave një pushtim të mundshëm të Ukrainës nga Rusia. Duke shprehur shqetësimin për pozicionimin e rreth 100 mijë trupave në kufi prej Moskës ai shton se ka ende shpresë për shmangien e konfliktit përmes diplomacisë

“Nëse kjo gjë do të niste në Ukrainë, do të ishte e madhe, shumë e madhe dhe do të rezultonte me një numër të madh të viktimave”, ka thënë Milley.

Nga ana tjetër Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llody Austin, nënvizon se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Ukrainën që të mbrojë veten, duke përfshirë furnizimin me më shumë armë.

“Konflikti nuk është i pashmangshëm. Ka ende kohë dhe vend për diplomaci”, ka thënë Austin, duke i bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin për ulje të tensioneve.

Të premten, 28 janar, presidenti Biden ka thënë se do të dërgojë një numër të vogël të trupave ushtarake në Evropën Lindore në të “ardhmen e afërt” për të forcuar prezencën e NATO-s në rajon.

Po ashtu Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar një kërkesë kyçe të Moskës që NATO-ja të mos pranojë Ukrainën duke shtuar se Rusisë i është ofruar një rrugë zgjidhje diplomatike.

Nga ana tjetër Presidenti rus, Vladimir Putin ka akuzuar Perëndimin se po injoron shqetësimet e Rusisë për çështje të sigurisë, duke bërë kështu që trupat ushtarake të qëndrojnë në kufi me Ukrainën.

Franca tashmë është bërë pjesë e bisedimeve, duke shpresuar se do të ketë ulje të tensioneve mes Putin dhe Biden.

EMISIONET