Portugali, Gjykata refuzon ligjin për dekriminalizimin e eutanazisë si 'të paqartë'

Portugali, Gjykata refuzon ligjin për dekriminalizimin e eutanazisë si

Gjykata Kushtetuese e Portugalisë hodhi poshtë sot, për herë të dytë, ligjin që dekriminalizon eutanazinë në vend, duke përmendur "paqartësi të papranueshme" në dispozitat e tij. Tashmë projektligji kthehet në Parlament, i cili prej tre vitesh po përpiqet të hartojë dhe miratojë ligjin përkatës.

Gjyqtarët vendosën se teksti nuk ishte në përputhje me Kushtetutën sepse nuk përcaktonte saktësisht "dhimbjen ekstreme" që hap rrugën për "vdekjen e asistuar mjekësor" të pacientit, thanë ata në një deklaratë të lexuar para gazetarëve.

E njëjta gjykatë e kishte hedhur poshtë ligjin edhe në mars 2021, duke konsideruar se termat e përdorur në tekst ishin "tepër të pasakta".

Parlamenti mund ta riformulojë tekstin dhe ta dërgojë sërish për miratim tek Presidenti i Republikës, konservatori Marcelo Rebelo de Souza, i cili apeloi në fillim të janarit në Gjykatën Kushtetuese. Ligjvënësit fillimisht votuan për dekriminalizimin e eutanazisë në shkurt 2020 , por ligji hasi në kundërshtime nga Presidenti, një katolik i devotshëm dhe ish-profesor i drejtësisë, i cili kishte vënë veton ndaj një versioni të mëparshëm të ligjit.

Deputetja socialiste Isabel Moreira komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke thënë se ai ishte bazuar në një “detal teknik” dhe se “shumica e argumenteve të Presidentit të Republikës nuk u pranuan”. "Nëse bëhet fjalë për korrigjimin e një fjale, ne jemi këtu për ta bërë atë," tha ai.

Pak vende evropiane, si Belgjika dhe Holanda, e kanë legalizuar eutanazinë deri më sot.

EMISIONET