Policia përdor gaz lotsjellës dhe ujë me presion kundër demonstruesve në Gjeorgji
Përleshje të dhunshme midis policisë dhe demonstruesve antiqeveritar shpërthyen në Gjeorgji për të tretën natë me radhë, pas vendimit të qeverisë për të pezulluar bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Sipas medias gjeorgjiane, oficerët e policisë përdorën ujë me presion dhe gaz lotsjellës mbi turmat, ndërsa disa demonstrues hodhën fishekzjarrë ndaj policisë.
Vetëm sot paradite, oficerët e policisë arritën t’i largonin protestuesit nga ndërtesa e parlamentit.
Demonstruesit tani kanë ngritur postblloqe pranë Universitetit Shtetëror të Tbilisit në kryeqytet.
Përplasjet dhe një krizë politike e thelluar midis qeverisë konservatore nacionaliste dhe opozitës pro evropiane po kërcënojnë të përçajnë Gjeorgjinë.
Informacioni zyrtar për numrin e të plagosurve dhe të arrestuarve gjatë natës nuk ishte i disponueshëm.
Dje policia arrestoi 107 persona për huliganizëm vetëm në Tbilisi.
Demonstrata po zhvillohen edhe në qytete të tjera në të gjithë Gjeorgjinë.
Sfondi i protestave janë zgjedhjet parlamentare në fund të tetorit, të cilat u lanë në hije nga akuzat për mashtrim dhe në të cilat partia në pushtet ”Ëndrra gjeorgjiane” u shpall fituese.
Opozita nuk i ka njohur rezultatet e zgjedhjeve dhe deputetët e opozitës kanë refuzuar të pranojnë mandatet e tyre.