Pekini hakmerret ndaj vizitës së zyrtares së lartë amerikane në Tajvan , shpall “non-grata” Pelosin
Nuk ka zgjatur shumë hakmarrja politike e Pekinit ndaj kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së. Kina ka njoftuar se ka shpallur non grata Nensi Pelosin dhe delegacionin e saj për shkak të vizitës së saj në Tajvan.
Sfida që Nancy Pelosi i bëri Pekinit i kushtoi zyrtares amerikane sanksionimin nga shteti komunist.
Ministria e Jashtme kineze ka shpallur zyrtarisht person të padëshirueshëm kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve dhe delegacionin e saj pas vizitës së tyre në Tajvan.
Sanksionet përfshijnë edhe anëtarët e familjes së 81-vjeçares sipas një deklarate të zyrës së diplomacisë.
Pelosi është zyrtarja më e lartë amerikane që futet në listën e zezë të Kinës.
Vitin e kaluar, Pekini sanksionoi ish-sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo.
Ish-kryediplomati i Administratës Trump ka bërë thirrje që Tajvani të njihet si komb i lirë dhe sovran.
Në ndryshim nga Pelosi, Pompeo nuk e vizitoi Tajvanin gjatë mandatit të tij dyvjeçar, por kreu një vizitë në kombin ishullor në mars të këtij viti.
Kujtojmë që ushtria kineze për të dytën ditë radhazi po kryen stërvitje ushtarake fare pranë ishullit tajvanez si kundërpërgjigje ndaj vizitës së Pelosit duke shkaktuar rrezik për një operacion të mundshëm të armatosur.