Pamje tronditëse nga India, uji merr para shtëpinë si të ishte prej letre, të paktën 26 viktima
Të paktën 26 persona janë vrarë nga përmbytjet në Indinë jugore, pasi shirat e dendur shkaktuan daljen e lumenjve nga shtrati, duke ndërprerë qarkullimin midis qyteteve dhe fshatrave.
BBC raporton se mes viktimave janë 5 fëmijë.Ekziston frika se numri i të vdekurve mund të rritet pasi shumë njerëz rezultojnë të zhdukur.
Disa shtëpi dhe njerëz u bllokuan në rrethin e Kottayam në shtetin Kerala.
Kottayam dhe Idukki janë dy nga rrethet më të prekura në shtet, ku ditët e reshjeve të shumta kanë shkaktuar rrëshqitje vdekjeprurëse të tokës.
Lumenjtë e fryrë kanë larë gjithashtu urat që lidhin shumë fshatra të vegjël.
Ushtria indiane, marina dhe forcat ajrore kaluan fundjavën duke pastruar zonat e prekura për të mbijetuarit, ndërsa banorët e prekur nga përmbytjet u thanë mediave lokale se komunitete të tëra janë shkatërruar nga reshjet e dendura.
Në mediat sociale qarkullon një video që tregon se si uji merr para shtëpinë, e shkul me themel dhe e "shkatërron" si të ishte prej letre.
“Shtëpia iku. Ishte jeta ime. Gjithçka është zhdukur," ka thënë një banor i prekur nga përmbytjet./Ora News/