Lavrov: Moska nuk dëshiron luftë me Ukrainën

Lavrov: Moska nuk dëshiron luftë me Ukrainën

Kryediplomati rus, Sergej Lavrov ka reaguar ndaj deklaratës së Biden, i cili parashikoi se Rusia do ta pushtonte Ukrainën në muajin shkurt.

Ministri i Jashtëm Lavrov thotë se Rusia nuk kërkon luftë dhe është kundër luftërave por nuk do të lejojë as që të shkelen interesat e saj.

"Nëse varet nga Rusia, s’do ketë luftë. Ne nuk duam luftëra. Por as nuk do të lejojmë që interesat tona të shkelen apo të shpërfillen. Amerikanët siç e dini dhe NATO kanë shpenzuar më shumë se një muaj duke studiuar propozimet tona tepër të thjeshta, të cilat u bënë në traktatin mes Uashingtonit dhe marrëveshjen me NATON. Dhe vetëm pardje ne morëm një përgjigje në stilin perëndimor, që në shumë mënyra turbullojnë ujërat."

Presidenti Biden i tha homologut të tij ukrainas, Volodimir Zelenski gjatë një bisede telefonike se Rusia mund të hyjë në Ukrainë në muajin shkurt, çka mund të sillte edhe fillimin e luftës.

Shefi i diplomacisë së Kremlinit theksoi se Rusia ka qenë gjithnjë për zgjidhje diplomatike.

"Ne kemi zgjedhur rrugën e diplomacisë për shumë dekada, që pas rënies së Bashkimit Sovjetik."

Perëndimi ka akuzuar Rusinë se ka grumbulluar rreth 100 mijë trupa në kufijtë e Ukrainës për të cilën ata thonë se duket si një pushtim nga Moska.

Kremlini në mënyrë të vazhdueshme mohon faktin se do të iniciojë ndonjë pushtim, deklaratë të cilën e përforcoi edhe reagimi i Sergej Lavrov të premten.

EMISIONET